Ceremoni madhështore për nder të haxhilerëve shkodranë!
Në një atmosferë të begatë besimi, vëllazërie dhe qytetarie, besimtarë të shumtë morën pjesë pasditën e së enjtes, më 15/6/2023, në ceremoninë festive, në përmbyllje të aktiviteteve dhe ligjëratave, për nder të 110 haxhilerëve shkodranë, që këtë vit do të marrin pjesë në kryerjen e ritualeve të adhurimit që mbledh miliona besimtarë muslimanë nga mbarë bota.
Ceremonia nisi me leximin e një pjese kur’anore të kënduar nga lexuesi me famë botërore, Shejkh Muhammed Siddik El-Minshavi, shfaqur në ekranin e madh në sheshin e xhamisë së Parrucës.
Aktiviteti u pasua nga fjala e rastit, mbajtur me plot emocione nga teologu Arben Halluni, që nuk i fshehu lotët, në urimet dhe lutjet drejtuar haxhilerëve të Shkodrës.
Më pas, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë, në të cilën ishin përmbledhur shumë mesazhe që lidhen me të sotmen e muslimanëve në vendin tonë dhe simbolikat e Haxhit.
Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe shfaqja e dokumentarit rreth vlerave të Ujit Zemzem, përkthyer në shqip dhe titruar nga teologu Lavdrim Hamja.
Më pas u shfaqën fotografitë e vjetra të arkivit të Myftinisë Shkodër, dhuruar para pak ditësh nga prof. Muamer Vuci, foto në të cilat dëshmohet qartë përcjellja e haxhilerëve shkodranë të fillim shekullit 20.
Një program i bukur artistik, përgatitur nga nxënësit e xhamisë Bardhaj dhe imami Ilir Dizdari, ia shtuan bukurinë dhe emocionet kësaj mbrëmjeje festive në zemër të Shkodrës.
Poashtu, këndimi i ilahisë së Bajramit nga këngëtarja e talentuar Ea Zoga, e zbukuroi edhe më shumë këtë ceremoni.
Momenti më kulminant ishte thirrja e emrave të haxhilerëve të dashur dhe dorëzimi i pasaportave me vizën e haxhit dhe ihramin për burrat.
Të pranishmit u njohën edhe me dy udhëheqësit e grupit të haxhive shkodranë, imamët e nderuar, Altin Nikshiqi dhe Ilir Dizdari, që do të shoqërojnë 110 haxhilerët e Shkodrës, bashkë me pjesën tjetër të haxhilerëve shqiptarë të këtij viti, nën drejtimin e udhëheqësve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Myftinia Shkodër falënderon krejt pjestarët e stafit dhe të gjithë ata që ndihmuan për realizimin e këtij aktiviteti madhështor, si dhe uron rrugë të mbarë dhe haxh të pranuar për haxhilerët e vet!