Ditën e enjte, më 18 shkurt 2016, në kuadër të “Dersit të natës së enjte”, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ligjëroi në xhaminë e fshatit Muriqan.
Pas faljes së namazit të akshamit nën drejtimin e imamit të xhamisë, Ajet Suka, Myftiu mbajti një ligjëratë, në thelbin e së cilës ishte domosdoshmëria e qëndrueshmërisë në besim dhe moslëkundja në marrëdhënie me Zotin e gjithësisë.
Myftiu tha se sprovat e përditshme me të cilat përballet i riu musliman shqiptar, ngjajnë me flakët e xhehnemit, që duan ta përpijnë njeriun, teksa ai largohet prej tyre drejt mëshirës dhe bujarisë së Zotit të gjithësisë.
Ai tha se sprova e femohimit, e shirkut, e thirrjeve shterpë për ndërrimin e fesë, e korrupsionit, e imoralitetit, e shthurrjes intelektuale, e ngushtimit të rizkut, e thashethemeve, e humbjes së kohës, e injorancës e shumë më shumë se kaq, duhen kaluar duke u mbështetur në All-llahun e Madhëruar dhe lutjen e pandërprerë drejtuar Madhnisë së Tij.
“Mos ngurroni të kërkoni nga i Plotfuqishmi! Mos të bëhemi të paedukatë në hak të Zotit tonë, duke iu ankuar njëri-tjetrit; le t’i drejtohemi Atij për të gjitha vështirësitë e jetës, për krejt nevojat tona, për të gjitha të papriturat me të cilat përballemi ditë pas dite!”, tha Myftiu.
Të pranishëm në këtë tubim të begatë ishin edhe imamët e nderuar: Lulzim Beqiri, Nebi Alija, Ilir Dizdari dhe Ridvan Luzaku.