Në Shkodër promovohet libri “Terminologjia Kur’anore – Një analizë gjuhësore dhe semantike”

Në Shkodër promovohet libri “Terminologjia Kur’anore - Një analizë gjuhësore dhe semantike”

Në Shkodër promovohet libri “Terminologjia Kur’anore – Një analizë gjuhësore dhe semantike”

Ditën e diel, më 15 nëntor 2026, në kuadër të veprimtarive përkujtimore të 36-vjetorit të xhumasë historike të 16 nëntorit 1990, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, organizuan promovimin e librit: “Terminologjia Kur’anore – Një analizë gjuhësore dhe semantike”, me autor Babil Abdul-Kerim.

Aktiviteti u zhvillua në ambientet e xhamisë “Dy Vajzat”, me pjesëmarrjen e motrave muslimane, në një takim kushtuar dijes, kulturës islame dhe njohjes më të thelluar të mesazheve të Kur’anit Famëlartë.

Aktiviteti u drejtua nga znj. Kimete Elezi, ndërsa kumtesat u mbajtën nga teologet Emine Alushi dhe Jetmira Plaku, të cilat trajtuan dy koncepte me rëndësi të veçantë në terminologjinë islame dhe në kuptimin e mesazhit kur’anor.

Në kumtesën e mbajtur nga teologia Emine Alushi, u hodh dritë mbi konceptin e “Vahjit” (Shpalljes Hyjnore), ku u trajtua kuptimi i këtij termi, dallimi ndërmjet asaj që është shpallje hyjnore dhe asaj që nuk është, si dhe mënyrat përmes të cilave Shpallja i ka ardhur Profetit Muhammed (a.s).

Përmes kësaj teme, ajo solli në vëmendje rëndësinë themelore të Vahjit në besimin islam, si burim i udhëzimit hyjnor dhe si një prej koncepteve qendrore për kuptimin e mesazhit të Kur’anit Famëlartë.

Më pas, e mori fjalën teologia Jetmira Plaku, ku paraqiti kumtesën e saj mbi analizën gjuhësore dhe kuptimore të termit “Ma’rifet”, një prej koncepteve të rëndësishme që autori trajton në veprën e tij.

Duke iu referuar librit “Terminologjia Kuranore”, ajo shpjegoi se termi “Ma’rifet” nënkupton një njohje që arrihet përmes perceptimit, vëzhgimit dhe identifikimit të realitetit. Në këtë kuptim, njohja nuk kufizohet vetëm në zotërimin e informacionit, por përfshin edhe aftësinë e njeriut për të dalluar, kuptuar dhe pranuar të vërtetën.

Një vëmendje të veçantë gjatë kumtesës iu kushtua dimensionit shpirtëror dhe praktik të njohjes në këndvështrimin kur’anor.

Promovimi i kësaj vepre krijoi një mundësi të vlefshme për njohjen me pasurinë gjuhësore dhe kuptimore të Kur’anit Famëlartë, si dhe për nxitjen e interesit ndaj studimeve kur’anore dhe literaturës islame në gjuhën shqipe.

Ky aktivitet pasqyron angazhimin e Myftinisë Shkodër dhe Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam për promovimin e librit, dijes dhe kulturës islame, si dhe për nxitjen e pjesëmarrjes së gruas muslimane në jetën kulturore, arsimore dhe shpirtërore të komunitetit.

Në përfundim të aktivitetit u shpërnda falas libri në fjalë, të cilin e morën dhuratë besimtaret e pranishme në këtë promovim.