Në xhamitë e Shkodrës përkujtohet ngjarja historike e 16 nëntorit 1990
Sipas udhëzimit të Myftinisë Shkodër, ditën e xhuma më 13 nëntor 2026, në të gjitha xhamitë e Shkodrës u ligjërua hytbeja e njësuar kushtuar ditës së shënuar të 16 nëntorit 1990, ditës më të spikatur të kalendarit tonë islam kombëtar.
Në ligjërimet e tyre imamët e nderuar dhanë mesazhe me rëndësi dhe vlerë për bashkësinë muslimane të Shkodrës, duke tërhequr vëmendjen e besimtarëve drejt vlerësimit të lirisë së besimit dhe ruajtjes së ekuilibrave të tij, si dhe vlerësimit të shenjtërive të tij me të gjitha forcat dhe mundësitë e tyre.
Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve nga xhamia e re e Tophanës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, u ndal tek domosdoshmëria e dëshmimit të identitetit islam, kudo e me këdo, me plot krenari legjitime, duke përhapur në çdo frymë, madhështinë e fesë islame, si mëshirë e bekim për mbarë njerëzimin!
Myftiu përmendi kontributin e hoxhallarëve të shquar të Shkodrës, që në periudhën e errët të komunizmit, ishin model udhëzimi dhe mbështetjeje shpirtërore për qytetarët e Shkodrës, edhe në momentet më të vështira të historisë së këtij qyteti.
Nga minberi i xhamisë së Fushë Çelës, imami i saj, H. Ardit Ulqinaku, theksoi se: “Krahas krenarisë së ligjshme për xhamitë e rindërtuara, shkollat, institucionet dhe kontributin e vazhdueshëm në komunitet, besimtarëve u bëj thirrje për vetëdije të lartë përballë sfidave të kohës. Ne duhet të jemi shembull për ata që na rrethojnë. Duhet të jemi çelësa të mirësisë dhe faktorë përmirësues në shoqërinë rreth nesh, e jo e kundërta!”
Ai ftoi besimtarët të jenë të bashkuar në të vërtetën, ruajtje të traditës së të parëve të devotshëm, forcë përballë vështirësive dhe angazhim aktiv për të qenë gjithmonë në shërbim të së mirës publike.
Nga xhamia e Parrucës, imami i saj, H. Naim Drijaj, duke folur për këtë ngjarje të rëndësishme dhe me vlerë, ndër të tjera theksoi se: “Të parët tanë të nderuar, baballarët dhe gjyshërit tanë, përkundër asaj që kanë vuajtur, në zemrat e tyre kishin një besim të thellë në bindjen ndaj Zotit! Ata, përkundër asaj dhune të paparë, e ruajtën besimin!
Sot, teksa besojmë të lirë dhe praktikojmë të pacënuar ritet e fesë dhe të besimit tonë, kuptojmë se sa e rëndësishme është në një shoqëri dhe për të, respektimi dhe mbrojtja e lirisë së fesë dhe besimit!”
H. Lavdrim Hamja, nga xhamia e “Dy Vajzave”, u shpreh se: “Në këtë ditë të përkujtimit të 16 nëntorit 1990, ne duhet të sjellim në vëmendjen tonë mirësinë më të madhe të Allahut të Madhëruar, mirësinë e besimit, në të cilën na ka udhëzuar dhe për të cilën ne duhet të ndjehemi krenarë dhe ta mbajmë kokën lart përpara gjithë botës, sepse i përkasim kësaj feje të madhnueshme, për të cilën, Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin Famëlartë: “Ai është, i Cili ju quajti muslimanë!”
H. Ruzhdi Plangaj, nga xhamia e Kirasit, iu drejtua besimtarëve: “Në vendin tonë të shtrenjtë, në vitet e errëta të komunizmit, tentuan që njerëzve t’iu prishet natyrshmëria e besimit dhe të pengohen nga kryerja e adhurimeve. U shkatërruan xhamitë dhe u rrënuan minaret, u bënë shumë zullume të mëdha!
Brezat që e jetuan këtë fatkeqësi njerëzore të atyre viteve të errëta, e kanë kuptuar se një prej begative më të çmuara në jetë, është liria e besimit, mundësia për ta adhuruar Allahun, për ta praktikuar fenë dhe për ta shprehur bindjen pa frikë, kërcënim apo pengesë. Prandaj në ditën e parë të hapjes së xhamisë së Plumbit dolën turma-turma, duke mundur frikën dhe kërcënimin!”
Një mesazh me vlerë mbajti edhe H. Ensar Ismalaj, i cili ligjëroi në xhaminë e Plumbit, duke ndarë me besimtarët e pranishëm rëndësinë e përkujtimit të kësaj date dhe rrezatimin e saj ndër ne dhe brezat që vijnë.
Mesazhe me vlerë e në përkujtim të kësaj date të shënuar për bashkësinë muslimane shqiptare u dhanë në të gjitha xhamitë tona, duke sensibilizuar besimtarët dhe duke mbajtur gjallë përkujtimin e kësaj date të shënuar.