Ahmed Didati: Nga një fëmijë që ndërpreu shkollimin, në një nga debatuesit më të njohur të feve

Ahmed Didati: Nga një fëmijë që ndërpreu shkollimin, në një nga debatuesit më të njohur të feve

Ahmed Didati u detyrua t’i ndërpriste studimet për shkak të varfërisë, por më vonë u bë një nga debatuesit më të njohur në fushën e krahasimit të feve.

Si e çuan pyetjet me të cilat u përball gjatë punës së tij në një dyqan në Afrikën e Jugut drejt kësaj pozite të shquar?

Nuk vinin vetëm për të blerë!

Në vitet 30-të të shekullit të kaluar, studentë të një misioni të krishterë ungjillëzues frekuentonin dyqanin ku punonte Ahmed Didati, në qytetin e Durbanit, në Afrikën e Jugut.

Ata blinin gjërat që u nevojiteshin dhe më pas i drejtonin pyetje dhe kritika rreth Islamit, disa prej të cilave ai nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej.

Kjo e shtyu të kërkonte përgjigje, duke nisur kështu një rrugëtim autodidakt, i cili ndryshoi rrjedhën e jetës së tij.

 

Si i ndërtoi njohuritë e tij jashtë shkollës?

Ahmed Didati ishte detyruar ta ndërpriste shkollimin për shkak të varfërisë së familjes së tij, por vazhdoi të mësonte në mënyrë autodidakte.

Ai lexoi ungjijtë dhe studioi tekstet e Biblës. Gjithashtu, u njoh me librin “Idharul-Hak” (Shfaqja e së vërtetës), i cili trajton dallimet doktrinare ndërmjet Islamit dhe Krishterimit.

Nëpërmjet leximit dhe studimit të pavarur, ai fitoi njohuri në fushën e krahasimit të feve, të cilat më vonë i mundësuan të debatonte me klerikë të krishterë.

U përball me debatuesit e tij duke përdorur tkstet e tyre

Ahmed Didati nuk u mjaftua vetëm me mbrojtjen e Islamit, por përdori tekstet e Biblës në debatet e tij me klerikët e krishterë.

Ai ngriti pyetje rreth hyjnisë së Jezu Krishtit, duke u mbështetur në Ungjij, dhe diskutoi ato që i konsideronte mospërputhje ndërmjet transmetimeve të tyre.

Vetëm 15 persona në sallë

Në vitin 1942, Ahmed Didati mbajti ligjëratën e tij të parë publike, me titull “Muhammedi, i Dërguari i Paqes”, në një sallë kinemaje në qytetin e Durbanit.

Në këtë ligjëratë morën pjesë vetëm rreth 15 persona.

Kjo shënoi fillimin e kalimit të tij nga diskutimet individuale drejt ligjëratave publike, e më pas drejt debateve me klerikë të krishterë.

44 vite… Një debat përpara mijëra njerëzve

Në vitin 1986, Ahmed Didati u përball me predikuesin e njohur televiziv amerikan Jimmy Swaggart, në një debat të zhvilluar në qytetin Baton Rouge të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ata diskutuan rreth pyetjes:

“A është Bibla Fjala e Zotit?”

Debati u zhvillua përpara rreth 8 mijë të pranishmëve.

Kjo përballje u bë një nga debatet e tij më të njohura të regjistruara dhe regjistrimet e saj u përhapën edhe jashtë Shteteve të Bashkuara.

 

Kur debatuesi humbi zërin e tij

Pas dekadash debatesh që e bënë të famshëm, Ahmed Didati pësoi në vitin 1996 një goditje të rëndë në tru, e cila ia hoqi aftësinë për të lëvizur dhe për të folur.

Njeriu që ishte bërë i njohur për përgjigjet e tij të shpejta, tashmë komunikonte me njerëzit përreth duke lëvizur qepallat, për të përzgjedhur shkronjat dhe fjalët.

Ai vazhdoi të komunikonte në këtë mënyrë deri në vdekjen e tij, në vitin 2005.

Megjithatë, zëri i tij mbeti i gjallë përmes regjistrimeve të debateve të tij.

 ______________________

(instagram.com/aljazeera.culture)