21 shtator, Dita botërore e Paqes!
Elhamdulilah, unë jam musliman dhe bota është më e sigurt! Kjo është esenca dhe zanafilla!
Pas çdo namazi, ne si muslimanë lexojmë dhikret e virdeve ditore që na i mësoi Resulull-llahu (a.s), ku fjalia e parë pas istigfarit është: “All-llahumme Entes-Selamu ve minkes-Selam…”, që do të thotë: “Zoti im, Ti je burimi i Paqtimit, prej Teje buron Paqja…”!
Me pak fjalë, më e pakta, pesë herë në ditë, Islami na edukon e na frymëzon drejt paqtimit dhe rrugëve të tij, duke u lartësuar ditë pas dite drejt asaj që Krijuesi ynë kërkon prej nesh në këtë jetë!
Le të punojmë me sa të kemi mundësi për të jetuar në paqe dhe harmoni me njëri-tjetrin, duke ruajtur mbi të gjitha dinjitetin dhe krenarinë e besimit dhe të fesë, shenjtërinë e jetës dhe atë të njeriut-mëkëmbës i Zotit në tokë, dijes dhe arsimimit!
Të përpiqemi për të punuar me pastërti e dinjitet, të angazhohemi për të ruajtur e mbrojtur Tokën, nënën tonë të përbashkët, nga zjarret dashakeqe, nga shkatërrimet egoiste, nga zaptimet zullumqare, nga mohimi i pronësisë për të zotët legjitimë, por jo vetëm, dhe që shpien drejt konflikteve dhe të papriturave të padëshiruara!
Të angazhohemi me të gjitha forcat për t’u ndarë nga politikat shkatërrimtare, që prishin rendin mbi tokë, edhe duke përdorur kartën e fesë për të përçarë njerëzit mbi baza fetare, si një gangrenë e keqe, që është instaluar në mendësitë provinciale të mbështetura edhe nga rrogtarë meskinë!
Të japë secili diçka nga vetja e tij për paqen me dinjitet, duke falur mirësi e dashuri, mirëkuptim e heshtje, sidomos në familje, me fëmijët, me të rinjtë e farefisin!
Nuk mund të prodhojmë paqe sociale, duke mbështetur “festat” e harameve, duke promovuar alkoolin, lakuriqësinë, devijimet morale dhe injorancën, në zemër të lagjeve tona dhe bri shtëpive të Zotit!
Rini e alkoolizuar, e droguar, rini hashashi, banalitetesh, nuk mund të jetë ajo që e themi në zhargonin e përditshëm: “e ardhmja e kombit”!
Alkool, zhurmë e çmendur deri në orë të vona, shëtitorja kryesore e qytetit e mbushur me flamuj me shishe birre, harbim para dyerve të Bashkisë, nuk është as më shumë e as më pak sesa një shfaqje e denjë për njerëz pa dinjitet, “pa din e pa iman”, siç e përmend shpesh edhe kryeministri i vendit!?
Mendoja se kjo tollovi dhe gjurulldi do të mbyllej një herë e mirë në Shkodër, por ja që parashikimi im i heshtur paska qenë i gabuar!
Imagjino, sa tribuna fetare e ligjërata, takime zyrtare, konferenca shkencore ndërfetare me vlerë, fushata të mbara sensibilizimi në bashkëpunim me policinë, me shkolla etj, për të udhëzuar opinionin kundër alkoolit, drogës, bimëve narkotike e të ngjashme dhe, papritur, krejt papritur, “Festa e birrës” që don të imponohet si traditë primitive në mesin tonë!
Sapo mbaroi java e parë e fillimit të vitit të ri shkollor. Para Bashkisë mund të shihnim një panair libri, një festival të letërsisë për fëmijë e të rritur, një fushatë sensibilizuese për leximin, shenjtërinë e librit, një seri mbrëmjesh letrare e poetike me shkrimtarët dhe poetët më me zë të qytetit e përtej, duke i mbështetur e vlerësuar, një panair të arritjeve të talenteve të Shkodrës në dije e shkencë, një.., por..!?
Nuk mund të ketë paqe, nëse nuk e kultivojmë dhe e jetojmë atë në familje fillimisht, pastaj në rrethin e ngushtë familjar, e më pas në shoqëri, me shumë kujdes e plot përkushtim, duke ndjekur dritën e Zotit dhe udhëzimin e Tij, jo interesat e ngushta, tekat e skutat e errëta!
Fjala e mirë është paqe! Buzëqeshja e sinqertë është paqe! Heshtja e urtë është paqe! Mësimi dhe edukimi i udhëzuar është paqe! Ndihma në rast nevoje është paqe! Luftimi i së keqes në jetë është paqe! Kundërshtimi i keqpërdorimit të besimit është paqe! Përballja me tërë fenomenet e prishjes dhe devijimit është paqe!
Paqe me Zotin! Paqe me robin! Paqe me vetveten e me realitetet e përditshme, që gjithsesi mbeten më të dobëta sesa mundësia për të ndryshuar kaderin!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 21 shtator 2023