Dita Botërore e Gjuhës Arabe, aktivitet me dobi i Myftinisë Shkodër
18 dhjetori njihet ndryshe edhe si Dita Botërore e Gjuhës Arabe. Pas propozimit të bërë nga Arabia Saudite, Asambleja e Përgjithshme e OKB, caktoi një ditë për manifestimin e Gjuhës Arabe, si gjuhë e pasur dhe burim i dijes dhe trashëgimisë së pasur që rrezaton dije, shkencë e besim për mbarë njerëzimin.
Ky vendim u mor gjatë seancës së 190-të të këshillit ekzekutiv të UNESCO-s, ndërsa manifestimi i parë ndodhi më 18 dhjetor të vitit 2012.
Me këtë rast, ditën e hënë, më 18 dhjetor 2023, Myftinia Shkodër, organizoi një tryezë shkencore, nëpërmjet të cilës, u hodh dritë rreth detajeve të shumta, me të cilat spikat gjuha arabe, pasurisë së saj, lashtësisë dhe lidhjes së shqiptarëve ndër shekuj me gjuhën arabe.
Teologu Arben Halluni, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, teologu Anis Agovi, drejtori i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, teologu dhe mësuesi i Gjuhës Arabe në Medrese, H. Sadri Ujkaj, etj., nxorën në pah detaje të mrekullueshme rreth Gjuhës Arabe, vlerësime të orientalistëve jomuslimanë për madhështinë, elasticitetin dhe përsosmërinë e Gjuhës Arabe, sikurse dolën në pah edhe shumë detaje rreth historisë së saj dhe trashëgimisë sonë kombëtare në raport me këtë gjuhë të besimit dhe të shkencës.
Aktiviteti u zbukurua me ndërhyrjet plot dobi të maturantëve të Medresesë, si dhe bashkëbisedimit plot vlera në mesin e të pranishmëve.
Me rastin e këtij aktiviteti, Myftiu i dhuroi Drejtorit të Medresesë, flamurin e punuar nga Sheh Ahmed Shkodra, ku nëpërmjet mjeshtërisë së kaligrafisë arabe, janë shkruar emrat e Ehli-Bejtit në formën e shqiponjës në zemër të flamurit tonë kombëtar.