Myftiu i Shkodrës: “Emiri Nevaf Al-Ahmed, simbol i urtësisë, faljes dhe modestisë!”

Myftiu i Shkodrës: “Emiri Nevaf Al-Ahmed, simbol i urtësisë, faljes dhe modestisë!”

Ditën e martë, më 19 dhjetor 2023, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në pritjen e ngushëllimeve për ndërrimin jetë të Emirit Nevaf Al-Ahmed, Emirit të Shtetit të Kuvajtit, organizuar nga ambasada e Kuvajtit në Tiranë.

Në ngushëllimet e tij, shprehur zv/ambasadorit, Z. Khaled Al-Shami, Myftiu theksoi se personaliteti i Emirit Nevaf Al-Ahmed, ishte i dashur jo vetëm për popullin e tij, por edhe përtej kufijve të Shtetit të Kuvajtit, edhe për shkak të veçorive të spikatura të personaliteti të Lartmadhërisë së Tij.

Myftiu Sytari theksoi se në lajmet e mediave prestigjioze arabe, u shfaq thjeshtësia, falja dhe natyra prej besimtari i përkushtuar i Emirit të Kuvajtit, i cili dilte në xhami për të falur sabahun me njerëzit, takohej me ta, priste ankesat e tyre, kishte karrigen e namazit dhe podin e leximit të Kur’anit në një qoshk të xhamisë, si dhe karakterizohej nga këshilla e urtë, butësia në komunikim dhe përkushtimi për të mirën e popullit të tij, ymetit islam dhe njerëzimit mbarë!

Myftiu shprehu lutjet e tij për shpirtin e Emirit Nevaf Al-Ahmed dhe mirënjohjen më të thellë për Shtetin e Kuvajtit, i njohur anembanë botës për vlerat e larta të humanizmit dhe solidarizimit me njerëzit në nevojë, pa dallim!