Ndërroi jetë Emiri i Kuvajtit, Sh.T. Emiri Nevaf Al-Ahmed Al-Sabah
Sipas të dhënave zyrtare, ditën e shtunë, më 16 dhjetor 2023, ka ndërruar jetë në moshën 86 vjeçare Emiri i Shtetit të Kuvajtit, Shkëlqesia e Tij, Emiri Nevaf Al-Ahmed Al-Sabah.
Me këtë rast, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, në emër të Këshillit të Myftinisë dhe imamëve të saj, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Al-Sabah, qeverinë dhe popullin kuvajtian.
Lutjet tona janë për shpirtin e burrit të urtë, zemërbardhë dhe besimtar, Emirit Nevaf Al-Ahmed Al-Sabah, që Allahu i Madhëruar ta mëshirojë, ta falë e ta pranojë punën dhe përkushtimin e tij.
Janë të panumërta kontributet dhe projektet bamirëse të dhuruesve dhe shoqatave humanitare nga Shteti i Kuvajtit, që ndër dekada e vite, ka dëshmuar shpirtin e besimit, humanizmit dhe solidarizimit me njerëz e popuj në nevojë!
Në vijim të këtij mesazhi ngushëllues, një pjesë e njërës prej intervistave të dhëna prej Sh.T. Emiri Nevaf Al-Ahmed Al-Sabah.
__________________
Shkëlqesia e Tij, Emiri Nevaf Al-Ahmed Al-Sabah: “Sikur t’i kishte qëndruar dikujt tjetër, nuk do të kishte mbërritur deri te ti!”
Përpara kujt, ndihet i dobët Emiri Nevaf Al-Ahmed?
“Ndihem i dobët përpara Allahut të Lartmadhëruar, por kur humb një të dashur timin, kur shikoj një plak të moshuar, që kërkon ndihmë çfarëdo qoftë ajo, ndihem i dobët përpara tij.
Një fëmijë i sëmurë, që ka dhimbje, e që nuk dimë se çfarë ka, këtë gjë nuk mund ta duroj dhe ndihem i dobët përpara tij..!
Qëllimin, të cilin kam dëshirë ta arrij, është kënaqësia e Allahut të Madhëruar dhe t’i bëj njerëzit të kënaqur!
Falënderimi i takon Allahut, por ajo që kërkoj është kënaqësia e Allahut ndaj meje dhe njerëzit të jenë të kënaqur me mua!
Mesazhi im:
Shpresoj, që të kapen fort për parimet e fesë sonë të pastër, e cila nxit për moralin e mirë dhe të pajisen me armën e dijes dhe të njohurive!”