Ditën e hënë, më 1 korrik 2024 grupi i fundit i haxhilerëve shqiptarë mbërriti në atdhe. Në mesin e tyre ishin edhe haxhilerët shkodranë të këtij viti.
Në aeroportin e Rinasit kishte dalë për t’i pritur Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shoqëruar nga sekretari organizativ i Myftinisë Shkodër, H. Lavdrim Hamja.
Në takimin e tyre të parë, Myftiu Sytari i uroi mirëseardhjen haxhilerëve të dashur, duke u lutur për Haxh të pranuar dhe bekime për ta.
Ndonëse të lodhur nga udhëtimi i gjatë, haxhilerët tanë ndanë me Myftiun disa nga emocionet të këtij udhëtimi të paharruar.
Ata falënderuan gjithashtu përkushtimin e murshidit të Shkodrës, H. Altin Nikshiqi, i cili ishte pranë tyre në këtë udhëtim të jetës, me udhëzimet, këshillat dhe mësimet e tij.
Ceremonia e pritjes së haxhilerëve vijoi me pritjen e tyre në ambientet e xhamisë së Parrucës, ku hoxhallarë, familjarë, besimtarë dhe të afërm kishin dalë për t’i uruar mirëseardhjen.
Nga minaret e xhamisë së Parrucës tekbiret e teshrikut mbushën atmosferën me emocionet dhe përshpirtjen e Haxhit të paharruar të këtij viti.
Myftinia Shkodër uron haxhilerët për adhurim të pranuar, familjarët e tyre për kthimin shëndosh e mirë dhe komunitetin e besimtarëve për këtë mirësi e bekim të madh.