Kujtojmë sot në përvjetorin e tij, të ndjerin Islam Dizdari

(Risjellim në kujtesën tuaj një shkrim të mëparshëm...)

Kujtojmë sot në përvjetorin e tij, të ndjerin Islam Dizdari
(Risjellim në kujtesën tuaj një shkrim të mëparshëm…)

Faleminderit Profesor!

Një jetë të tërë në fushën e edukimit dhe të arsimit, një jetë të tërë në fushën e letrave, një jetë të tërë në kërkim të dijes dhe në përpjekje të përçimit të kësaj dije.

I dhënë shumë në sferën e edukimit, pasi aty e gjeti veten, aty reflektonte mirësi dhe urtësi, aty depërtonte në thellësitë e pamundura, i vetëdijshëm plotësisht për vështirësitë e një përballjeje të tillë, por po aq i vetëdijshëm edhe për mundësitë e arritjeve të shumta, pasi sa herë që flitej për edukim, rënqethej i tëri, dhe si i tillë reflektonte ndryshe.

U vu përherë në përpjekje të pasqyrimit të një shembulli model, pasi kur flitej për edukimin në qendër vihej modeli, e kur ky model nuk buronte nga brenda shpirtit, e kur ky model nuk pasqyrohej tek vetvetja, s’kish si të merrte një kuptim të duhur.

Pasioni dhe vullneti qenë sërish dy karakteristika të pandashme të profesorit të nderuar, qenë si dy armë të tij tejet të fortë, dy shtylla ku ai mbështetej guximshëm, pasi e kish kuptuar që me kohë se pa pasionin për punën dhe pa një vullnet të paepur s’mund të kapërcente sfidat e kohës, që sa vinin e bëheshin më të dukshme. Ishte pasioni për edukimin dhe vullneti i fortë për ta çuar tutje këtë aspiratë që e bënë atë një dijetar të plotësuar dhe të shumëkërkuar. Ishte pasioni dhe vullneti që nuk e zbrapsen në asnjë çast, që nuk e mërzitën dhe nuk e sfiduan për të rrezatuar dritën e këtij edukimi tek brezat e rinj.

E donte punën, e donte librin, pasi që në fëmijërinë e hershme e kish përqafuar ngrohtësisht edukimin duke krijuar bindjen e palëkundshme se vetëm nëpërmjet kësaj rruge mund të rriteshin dhe të kultivoheshin breza të tërë që mund ti shërbenin me mish e me shpirt. rimëkëmbjes së kësaj shoqërie

E donte edukimin pasi ruante bindjen e fortë se vetëm nëpërmjet kësaj rruge mund të ndryshohej vizioni dhe mentaliteti i një shoqërie të tërë për të ecur me hapa të shpejtë drejt një emancipimi të shumëdëshirueshëm.

E donte edukimin pasi shpresonte së tepërmi që një arsimim i mirëfilltë do rrezatonte zemrat dhe shpirtrat e njerëzve për të kuptuar më së miri aspiratat dhe domethëniet e vetë jetës.

E donte edukimin pasi dëshironte që njeriu i kohës të kishte individualitetin dhe personalitetin e tij të palëundshëm ndaj sfidave të jetës.

Njeriu punëtor dhe i palodhur, njeriu i dijes dhe i kulturës luftoi pareshtur për shpalosjen e dijes dhe të kulturës shumëdimensionale dhe me vite të tëra reflektoi urtësinë e tij në auditoret e Universitetit Luigj Gurakuqi, e pikërisht në departamentin e shkencave të edukimit. Padyshim zotëronte të gjitha kriteret, karakteristikat dhe virtytet më të larta njerëzore dhe intelektuale si një specialist i fushës dhe një dijetar i kohës. E mundonte gjithmonë idja e kërkimit të së resë, pasi bota e edukimit ishte një det pa fund dhe profesori i nderuar i kish hyrë një rruge që nuk njihte kthim prapa.

Të shumta qenë botimet e tij, qofshin ato individuale apo edhe në bashkëautorësi, dhe si i tillë la gjurmë të shumta në memorien e çdo individi që rrugëtimin e tij e kish në këtë drejtim. Shqyrtoi dhe analizoi me dhjetra e qindra problematika të fushës së edukimit duke shpalosur ide të qarta që i shërbyen më së miri integritetit dhe emancipimit si dhe rimëkëmbjes së një shoqërie të tërë, pasi si përherë ruante bindjen se edukimi i një individi do të thoshte edukimi i një shoqërie, e për rrjedhojë një edukim i tillë me baza të forta do të sillte edhe rimëkëmbjen e brezave të tërë.

E meritoi plotësisht titullin “Mësues i merituar”, por padyshim shërbeu shumë më tepër se çmund të përkufizohej brenda nuancave të një titulli të tillë. Ai ishte një edukator i shkëlqyer pasi ishte një bashkëshort i mrekullueshëm, një famijar me të gjitha tiparet plotësuese, një prind model, një mik i ngushtë dhe i pazëvendësueshëm për çdokënd që e njohu nga afër apo nga larg, një intelektual i mirëfilltë që rrezatonte çdo mirësi në shoqërinë ku jetoi.

Janë fatlumë familjarët që e patën në gjirin e tyre dhe po aq fatlume edhe e tërë shoqëria që identifikohet me figurën e profesorit të nderuar.

FALEMINDERIT PROFESOR PER GJITHÇKA QE NA DHE!

KRENARË PËR TY DHE TË TILLË DO NGELEMI GJITHMONË!

__________

Evans Drishti