Atmosferë festive dhe gëzimi në xhaminë Barbullush për Mevludin Sherifë
Në vazhdën e veprimtarive me rastin e përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), me moton: “I Dërguari i Allahut, Muhammedi (a.s), mëshirë e dërguar për mbarë njerëzimin!”, paradreken e ditës së shtunë, më 5 tetor 2024, Myftinia Shkodër, organizoi aktivitetin festiv në xhaminë e Barbullushit, ku morën pjesë kryesisht nxënës të mejtepeve të disa xhamive, si dhe besimtarë të zonës së Bushatit.
Pas leximit të disa pjesëve të Kur’anit Famëlartë nga imami i xhamisë Barbullush, H. Ervis Molla, përshëndeti në emër të Myftinisë Shkodër, drejtuesi i arsimit, teologu Arben Halluni, cili falënderoi të gjithë të pranishmit, sidomos fëmijët dhe nxënësit e kurseve fetare që u bashkuan dhe morën pjesë në organizimin e këtij aktiviteti plot dritë, shpresë dhe ngazëllim.
Ligjëratën e rastit e mbajti H. Besim Barbullushi, imam i xhamisë Rus, i cili hodhi dritë mbi traditën e mrekullueshme të përkujtimit të Mevludit Sherifë, veçanërisht më fëmijët, të cilët sot e gjithmonë kanë nevojë të ndjekin shëmbëlltyrën e Pejgamberit Muhammed (a.s) në besim, adhurim dhe moral.
Në vijim të programit, grupi artistik i nxënësve të qendrës kulturore pranë xhamisë Barbullush përcollën përpara të pranishmëve pjesë nga Mevludi Sherifë, salavate, recitime me mesazhe të vyera, dua-lutje, ilahi, monologë, etj.
Nën shoqërinë e salavateve aktiviteti u mbyll më një koktejl që u zhvillua në oborrin e xhamisë.