Dr. Keftaro: Dëshmojeni bukur Islamin, me këdo dhe kudo!
Ditën e xhuma, më 1 nëntor 2024, me ftesë të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mendimtari islam damasken, Dr. Salahudin Keftaro iu drejtua besimtarëve me një këshillë të mbushur me urtësi dhe largpamësi nga xhamia e Medresesë.
Pas një takimi në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” ku inspektoi edhe një prej klasave dhe zhvilloi një bashkëbisedim të dobishëm me drejtorin e Medresesë, Dr. Salahudin Keftaro iu drejtua besimtarëve me një këshillë të artë, ku ndër të tjera vuri theksin te harmonia fetare në Shkodër dhe kërkoi që vendi ynë të ndërtohet mbi bazën e vlerave dhe edukatës, pasi ka shumë sfida me të cilat ne përballemi, kështu që besimi është garancia dhe mbjell të mirën.
Ai ndër të tjera shtoi, se duhet të marrim nga morali dhe mirësjellja islame deri në atë gradë, sa gjithsecili prej nesh të bëhet pikësynim dhe të gjithë ta shohin me respekt dhe nderim. Allahu e ruajt dhe e begatoftë tokën tuaj dhe popullin tuaj. Kjo frymë e harmonisë dhe e bashkëjetesës, të cilën e shoh vit pas viti teksa vizitoj vendin tuaj ndriçon dhe është një urë lidhëse mes muslimanëve dhe të krishterëve, e kjo na e përforcon edhe më tepër përgjegjësinë e këtij misioni, që ne mbartim në vetvete. Në këtë vend ku jetojmë, ne jemi një familje e vetme dhe e lidhur kombëtare, që duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, të njihemi, ta ndërtojmë vendin tonë mbi bazën e vlerave, edukatës dhe moralit. Për derisa ka shumë e shumë sfida me të cilat ne përballemi, do të thotë se besimi është siguria dhe garancia, që mbjell të mirën dhe dashamirësinë në mesin tonë.
Ne kemi nevojë të kuptojmë, se si muslimanë ne jemi një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj shoqërie njerëzore dhe jemi si një lule e çmuar në mesin e një buqete gjallë. Prandaj, prezantojeni fenë tuaj nëpërmjet sjelljes tuaj dhe nëpërmjet dashamirësisë tuaj për njerëzit. Ne sot përballemi me shumë sfida, që na ngarkojnë për të qenë njerëz të zellshëm për t’u përballë me to dhe për t’u angazhuar ditë pas dite për të ndërtuar brezin e të ardhmes dhe për ta edukuar këtë brez me vlerat dhe trashëgiminë e baballarëve dhe gjyshërve të tyre.
Dr. Salahudin Keftaro është mik i shtrenjtë i Myftinisë Shkodër dhe herë pas here viziton vendin tonë duke gjallëruar aktivitetin fetar dhe duke sjell urtësinë e trashëgimisë islame nga Damasku i Sirisë.