Myftiu i Shkodrës, udhëzim imamëve në përkujtim të 16 nëntorit
Dhjetëra mijëra besimtarë dhe qytetarë shkodranë, por jo vetëm, nën drejtimin e Hafiz Sabri Koçit rihapën dyert e xhamisë së Plumbit dhe sheshit përreth, që përtej kushteve të vështira dhe pengesave të panumërta arritën që bashkërisht të shënojnë një ndër momentet më kulminante të historisë sonë kombëtare; rikthimin e lirisë së besimit dhe dëshmimin se asgjë në botë nuk mund ta mundë forcën e shpirtit dhe lidhjen e njeriut me Zotin e tij.
Ajo ditë e paharruar ngeli simbol i ripërtëritjes dhe i rimëkëmbjes së Thirrjes Islame në qytetin e Shkodrës dhe në mbarë Shqipërinë. U kthye në një datë simbol që prevalon mbi çdo datë tjetër edhe çdo përpjekje për ta zbehur madhështinë dhe dritësinë e saj.
Në këtë kontekst, në prag të përkujtimit vjetor të 34-t të kësaj ngjarje historike, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari ka shpërndarë udhëzimin e tij drejtuar imamëve dhe hatibëve të qytetit të Shkodrës, që hytbeja e xhumasë së datës 15 nëntor 2024 të përqendrohet në përkujtimin e kësaj date dhe tërheqjen e vëmendjes së besimtarëve rreth madhështisë së saj.
Në mesazhin e tij drejtuar imamëve, ndër të tjera theksoi, se: “Nga ajo ditë bota mbarë mësoi se shqiptarët nisën një rrugëtim të ri për t’u ndarë nga komunizmi dhe pasojat e tij, për t’iu rikthyer lirisht besimit dhe praktikimit të ritualeve fetare dhe dëshmimit të thirrjes së shpirtit në përditshmërinë e tyre.
Sot, pas 34 viteve nga ajo ditë, sfida të shumta shfaqen në horizontet e bashkësisë tonë fetare. Që do të thotë, se të gjithë ne jemi të ftuar të bëjmë më të mirën për të dëshmuar madhështinë e fesë tonë islame në edukimin e brezave me dashninë e Zotit, lidhjen pas thirrjeve të Pejgamberit (a.s) dhe ruajtjen e trashëgimisë së të parëve, të paprekur, për t’u dëshmuar si njerëz ndërtues mbi faqen e dheut”.
Gjithashtu, Myftiu kërkoi nga imamët, që në hytben e dytë të kësaj xhumaje të ketë një lutje të posaçme për shpirtrat e hoxhallarëve, imamëve, hatibëve, vaizëve dhe të gjithë besimtarëve, që u sprovuan në periudhën e errët të komunizmit, që Allahu t’i mëshirojë, t’i shpërblejë për sakrificën e tyre dhe e sotmja dhe e ardhmja e muslimanëve në Shkodër, në Shqipëri dhe në mbarë botën të jetë e rrethuar me bekimet dhe mbështetjen e Allahut të Madhëruar.