Dr. Salahudin Keftaro vizitë vëllazërore në Myftininë e Shkodrës
Në kuadër të përkujtimit të 16 Nëntorit 1990, datë e madhe historike për mbarë popullin mysliman shqiptar, dita e rikthimti të lirisë së besimit dhe rihapjes së xhamisë shekullore të Plumbit, paraditën e ditës së martë, më 5 nëntor 2024, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari së bashku më disa anëtarë të këshillit të Myftinisë dhe të stafit të tij priti në një takim të ngrohtë dhe të përzemërt, mendimtarin damasken, dijetarin e njohur islam, Dr. Salahudin Ahmed Keftaro.
Ndërsa, Myftiu vlerësoi kontributet e çmuara të tij në shërbim të Islam dhe muslimanëvë përmes Fondacionit “Shejkh Ahmed Keftaro” në Damask të Sirisë dhe jo vetëm, në mes të tjerave para pranisë së mediave, tha: “Jam shumë i gëzuar që sot, në Myftininë e Shkodrës na ka urdhëruar për një vizitë shumë të shtrenjtë, Dr. Salahudin Keftaro, një mik i shtrenjtë dhe një mendimtar i shquar i fesë Islame, në rang botëror.
Ai është një mik i dashur dhe një mësues i madh për gjithsecilin prej nesh. Unë personalisht, disa prej vëllezërve dhe imamëve të Shkodrës, kemi pasur fatin e mirë për të studiuar në Damask të Sirisë dhe të merrnim mësime nga babai i zotërisë, por edhe nga vetë ai. Kjo vizitë patjetër që është si një diell që na ngrohë dhe shkëlqen, për mua, por edhe për Myftininë e Shkodrës”.
Në fjalën e tij, në mes të tjerave Dr. Salaudin Keftaro, pasi falënderoi Myftiun dhe bashkëpunëtorët e tij për mikpritjen dhe kënaqësinë e tij që gjendet serish në Shkodrën e kulturës, të trashëgimisë dhe të njerëzve të mirë, vlerësoi bashkëjetesën ndërfetare në Shkodër, duke u shprehur, se: “Nuk ka dyshim që një nga arsyet që kthehem në Shkodër është malli dhe mallëngjimi, duke marrë parasysh njerëzit e mirë këtu, si dhe vendin që ka një ngjashmëri me vendin tim. Padyshim është kënaqësi e veçantë, ndërsa shoh si bashkëjetojnë kishat dhe xhamitë. Bashkëjetesa dhe harmonia me të gjithë janë nga bazat e fesë tonë, e cila na nxit gjithashtu, për të ndërtuar themele të forta të bashkëpunimit, për të jetuar paqësisht në një vend të përbashkët për të mirën e vendit dhe përparimin e saj.
Ne e kemi parim nga Islami që bashkëpunimi dhe takimi, të jenë me të gjithë njerëzit njëlloj. Kjo vjen edhe si shkak i mësimeve të Pejgamberit Isa (a.s), (Mesihut), i cili ka inkurajuar në marrëdhënie të mira dhe si shkak i kësaj ne kemi këtë bashkëpunim mes komuniteteve fetare. Prandaj duhet të vazhdojmë të jemi të bashkuar për të ruajtur këtë traditë të mrekullueshme dhe këtë dhunti bashkëjetese që na ka dhënë Zoti, Një i Vetëm!”
Ndërsa, në kuadër të përkujtimit 16 Nëntorit 1990, mendimtari islam nga Damasku çmoi lart kontributin e çmuar në rihapjen e xhamisë së Plumbit 34 vite më parë, të Hafiz Sabri Koçit, të cilin ka pasur fatin e mirë që të takohet me Hirësinë e tij, pak vite para se të ndërronte jetë. Rihapja e saj, tha Dr. Keftaro është një panoramë e bukur e kësaj xhamie, jo vetëm që të kujton rrëzimin e atij sistemi famëkeq, por edhe fjalimin madhështor të Hafiz Sabri Koçit, i cili është simboli i asaj dite madhështore.
“Sot, kuptimi i atij ndryshimi duhet të shihet në mënyrën se si e kemi ndërtuar jetën, deri në ditën e sotme në një sistem tjetër, demokratik. Si kundër e rëndësishme është të ruajmë vlerat e asaj ngjarjeje të madhe dhe të dimë të ndërtojmë të ardhmen tonë me besimin në një Zot të Vetëm dhe të një jete të përparuar në çdo kohë”.
Në përfundim të takimit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari dhe mendimtari islam, Dr. Salaudin Keftaro shkëmbyen dhurata mes njëri – tjetrit, duke treguar edhe një herë frymën e miqësisë, vlerësimit dhe të mirënjohjes.