Myftiu: “Ta jetojmë e ta dëshmojmë Islamin bukur e me krenari!”
Ditën e enjte, më 16 janar 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, nisi ciklin e ri të ligjëratave, me rastin e Tre Muajve të Mirë, Rexheb, Shaban dhe Ramazan 1446 h.
Pas namazit të akshamit, ndalesa e parë ishte në xhaminë e fshatit Dragoç, ku iu drejtua të pranishëmve me një këshillë rreth thellimit në mësimin e fesë dhe dëshmimin e tij me urtësi e krenari.
Myftiu theksoi se besimi në Një Zot të Vetëm të gjithësisë, pa shok, pa rival, pa të ngjashëm e të plotëfuqishëm dhe distancimi nga idhujtaria dhe format e saj të shumta, është themeli kryesor i fesë islame.
Më tej, vuri theksin tek fjala e pastër, sinqeriteti, ruajtja e amanetit, përkujdesja për lidhjet farefisnore, kujdesi për komshiun, distancimi nga haramet dhe ruajtja e jetës.
Në këtë konteskt, Myftiu përmendi edhe marrëdhëniet me të krishterët dhe jomuslimanët në përgjithësi, të cilët kanë të drejta të plota dhe të mbrojtura në mesin e muslimanëve.
Myftiu tha se përgjatë historisë, të krishterëve i janë ruajtur të drejtat e plota, përfshi kishat, priftërinjtë, kryqet dhe kanonet e tyre, bazuar mbj ajetin kur’anor: “Ju keni fenë tuaj dhe unë kam fenë time!”
U lut që kjo periudhë të kalojë me përkushtim të madh dhe përgjegjësi, për ta jetuar e dëshmuar Islamin bukur e me krenari.
Myftiu falënderoi imamët e nderuar të fshatrave: Dragoç, Boks, Kullaj, Omaraj, Mes-Myselim, Ura e Shtrenjtë, të cilët dhanë mesazhe dhe diskutuan, duke ia shtuar vlerat kësaj mbrëmjeje të shënuar.