Myftiu pret në një takim lamtumire Mons. Angelo Massafra përpara largimit të tij nga Shqipëria
Paraditën e së martës, më 21 janar 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari priti në një takim të veçantë lamtumire, Mons. Angelo Masafra, Arqipeshkv në Dioqezën Shkodër-Pult për më shumë se dy dekada.
Gjatë takimit të përzemërt, Myftiu Sytari dhe Arqipeshkvi Massafra ndanë mendime dhe kujtime nga bashkëpunimi i gjerë ndër vite, ku u përmenden aktivitetet e larmishme, vizitat, takimet dhe përpjekjet pozitive për të ruajtur dhe ndërtuar bashkërisht ura të reja të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare në qytetin e Shkodrës.
Gjatë këtij takimi, ku të pranishëm ishin edhe Arqipeshkvi i ri, Mons. Giovanni Peragine, dom Nikolin Toma, H. Arben Halluni dhe H. Lavdrim Hamja, autoritetet fetarë ndanë mendime dhe ide mbi rëndësinë e bashkëjetesës ndërfetare dhe domosdoshmërinë e promovimit në vazhdim të vlerave të paqes sociale dhe harmonisë në Shkodër, por jo vetëm.
Myftiu dhe Arqipeshkvi ishin të mendimit se, përtej faktit se shpesh thirrjet e tyre bien në vesh të shurdhër, e rëndësishme është vazhdimësia në përcjelljen e mesazheve dhe nxitja e përhershme e besimtarëve, dhe e rinisë në veçanti, për t’u kthyer nga Zoti dhe për t’u kapur pas vlerave dhe udhëzimit fetar.
Mons. Massafra vlerësoi kontributin e Myftiut Sytari në forcimin e dialogut ndërfetar, duke theksuar se roli i tij ka qenë i pazëvendësueshëm në ndërtimin e urave të bashkimit mes komuniteteve fetare.
Nga ana tjetër, Myftiu Sytari shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimet e shpeshta me Arqipeshkvinë e Shkodrës gjatë viteve të drejtimit të saj nga Mons. Massafra, duke veçuar rëndësinë e bashkëpunimit përmes aktiviteteve dhe takimeve të larmishme në përballje me sfidat e përbashkëta dhe përpjekjet për shërimin e krizave dhe problemeve sociale dhe shpirtërore.
Në fund të këtij takimi, Myftiu, Imam Muhamed B. Sytari i dhuroi Arqipeshkut, Mons. Massafra një dhuratë simbolike si një shenjë kujtimi i bashkëpunimit dhe frymës së harmonisë së dëshmuar ndër vite në mesin e komuniteteve fetare në Shkodër.