
Mbahet konferenca e 13-të vjetore e imamëve: “Islami, fé universale, në shërbim të njeriut!”
Paraditën e së shtunës, më 25 janar 2025, në xhaminë e Parrucës u zhvillua konferenca e 13-të vjetore e imamëve, teologëve dhe thirrësve islamë të Shkodrës, me temë: “Islami, fé universale, në shërbim të njeriut!”
Kumtesat e përgatitura nga imamët dhe teologët ishin të larmishme dhe interesante, me tefsire të ajeteve kur’anore, komentime të haditheve profetike dhe tema të tjera fetaro-shkencore, rreth universalizmit të fesë islame në çdo fushë të jetës njerëzore, një fé për të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh racën, kombësinë dhe kulturën, rreth marrëdhënieve ndër njerëzore, por jo vetëm. etj.
Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, në fjalën dhe kumtesën e tij me temë: “Toleranca ndërfetare, vlerë historike dhe sociale te muslimanët”, në mes të tjerave ka nënvizuar: “Kushdo që e shfleton Kur’anin Famëlartë dhe mediton në emërtimet e sureve, si dhe në përmbajtjen e shumë ajeteve, ku përmenden të dërguarit e mëparshëm, me emra dhe detaje, pasuesit e Librave të Shenjtë, me emra dhe detaje, si dhe ku jepen udhëzime drejt ruajtjes së ekuilibrave në shoqëri, bazuar në besimin në Një Zot dhe shfaqjen e drejtësisë, kupton qartë se, Zoti i gjithësisë, ka kërkuar nga njeriu që të jetojë në harmoni me tjetrin, kushdo qoftë ai”.
Më tej Myftiu nënvizoi se bashkëjetesa ndërnjezore është prej çështjeve të rëndësishme që ka njohur historia njerëzore: “Bashkëjetesa ndërmjet muslimanëve dhe jomuslimanëve, gjatë 14 shekujve të kaluar e deri më sot, është një prej çështjeve me një rëndësi të veçantë në historinë e qytetërimeve, që ka njohur përshkallëzime dypolare dhe ka arritur kulme interesante, që ia vlen përherë të studiohen e të merren si shembuj për të sotmen!”
Myftiu u ndal konkretisht me shembuj konkret të bashkëjetesës fetare në Shqipëri që është një nga vlerat më unike dhe të veçanta të kombit shqiptar, që shpesh përmendet si një shembull frymëzues për harmoninë ndërfetare në botë.
Në këtë konferencë referuan:
- Arben Halluni – Islami, besim dhe veprim
- Adem Pizga – Tefsiri i ajetit 114 të sures Ta Ha: “O Zot im, ma shto diturinë!”
- Anis Agovi – Haku i komshiut në tekstet islame
- Ardit Ulqinaku – Pozita e jetimit në Islam
- Besim Barbullushi – Roli i babait ne formimin dhe edukimin e fëmijëve
- Durim Kasemi – Mëshira për kafshët, si dëshmi e misionit universal në Islam
- Idmir Plaku – Tefsiri i ajetit 180 të sures El-Araf: “Allahut i takojnë emrat më të bukur!”
- Lavdrim Hamja – Fenomenet natyrore në Kur’an dhe Hadith
- Naim Drijaj – Llojet e nefsit në Kur’anin Famëlartë
- Samel Haxhija – Tefsiri i ajetit 41 të sures Err-Rrum: “Është shfaqur shkatërrimi në tokë dhe në det..!”
Në fund, u zhvilluan diskutime, konkluzione dhe përfundime të konferencës.