
Myftiu i Shkodrës: “Nata e Israsë dhe Miraxhit, ftesë për t’u lidhur me mrekullitë e Zotit në jetë!”
Ditën e xhuma, më 24 janar 2025, nga xhamia e Parrucës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, në hytben e kësaj xhumaje ka dhënë mesazhe me vlerë për një ngjarje të madhe historike islame, atë të Natës së Madhe të Israsë dhe Miraxhit.
Gjatë hytbes së kësaj xhumaje, Myftiu vuri theksin te rëndësia e madhe që kanë mrekullitë në jetën e Pejgamberëve nëpërmjet të cilave Zoti i gjithësisë i dëshmon të Dërguarve të Tij, besimtarëve dhe mbarë njerëzimit, përkrahjen dhe mëshirën e Tij të përhershme ndaj tyre. Në këtë kontekst, Myftiu theksoi se Nata e Israsë dhe Miraxhit është kurora e mrekullive me të cilat u dërgua Hz. Muhammedi (a.s).
Njëkohësisht ai tha se, thelbi i Natës së Israsë dhe Miraxhit është obligimi i faljes së pesë namazeve ditore për çdo besimtar musliman deri në ditën e fundit. Nga këtu, ai theksoi se është momenti që të tërheqim vëmendjen drejt respektimit dhe shfrytëzimit të këtij adhurimi të mrekullueshëm ditor për t’u rritur në marrëdhënien tonë me Allahun e Madhëruar dhe për ta konsideruar çdo namaz ditor si një mundësi miraxhi drejt Zotit të gjithësisë për t’u lartësuar në besimin tonë, në moralin tonë, në mirësjelljen tonë, në komunikimin tonë të përditshëm me njerëzit dhe për të gjetur qetësinë pas çdo sprove a përballje, që kemi në jetën tonë të përditshme.
Kliko këtu për të ndjekur hytben e plotë