![Përurohet Qendra Kulturore Oblikë](https://myftinia-shkoder.org/wp-content/uploads/2025/02/Perurohet-Qendra-Kulturore-Oblike-74-678x381.jpg)
Përurohet Qendra Kulturore Oblikë
Paradrekën e së mërkurës, më 5 shkurt 2025, Myftinia Shkodër organizoi përmes një ceremonie përurimin e Qendrës së re Kulturore Oblikë, e financuar nga bamirës të Shtetit të Kuvajtit dhe ndërtuar nga Fondacioni “Mirësia”.
Me pjesëmarrjen e besimtarëve të zonës Ana e Malit dhe të shumë nxënësve të kësaj qendre, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi vëllezërit nga Kuvajti, ndërsa nënvizoi se projekte të tilla shërbejnë në gjallërimin e jetës fetare, sociale dhe jo vetëm në zonën e Shkodrës: “Elhamdulilah që e mbërritëm këtë ditë të bekuar për t’u mbledhur për këtë event. Për hir të së vërtetës e kam diskutuar disa herë me vëllain tim, Korab Kaja, drejtorin e Fondacionit “Mirësia”, se kur do ta organizojmë momentin e inaugurimit të kësaj Qendre, e cila i ka dhënë frytet e saj dhe vazhdon të punojë në mënyrë sistematike, të mrekullueshme dhe shembullore.
Desht Allahu (xh.sh), që miku im i shtrenjtë dhe i dashur, profesor Halidi nga “Rahmeh Alemiyeh”, së bashku me vëllezërit e tij që punojnë në këtë Fondacion ndërkombëtar në Shtetin e Kuvajtit, të na urdhëronin sot në Shkodër dhe bashkërisht ta nisnim ditën me inaugurimin e gurëthemelit të Qendrës Kulturore në Mjedë, te xhamia e Mjedës.
Pas atij gëzimi që përjetuam atje erdhëm këtu për të prerë shiritin e Qendrës Kulturore të Oblikës. Me mbarësinë e Allahut (xh.sh) ky rrugëtim që ne kemi bashkërisht me Fondacionin “Mirësia” dhe me vëllezërit e “Rahmeh Alemiyeh”, në Shtetin e Kuvajtit, do të vazhdojë me projekte të tjera, që i shërbejnë më së miri gjallërimit të jetës fetare, shoqërore, por jo vetëm, në zonën e Shkodrës”.
Zv. drejtori i Shoqatës Botërore “Rahmeh” në Kuvajt, Dr. Adnan El-Hadad si dhe drejtori i Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja falënderuan Myftininë Shkodër për bashkëpunimin dhe mundësinë për të ofruar këtë qendër kulturore dhe edukuese për fëmijët dhe të rinjtë e kësaj zone.
Dr. Al-Hadad theksoi ndër të tjera se: “Shoqata ‘Rahmeh Alemiyeh’ nga Shteti i Kuvajtit punon afërsisht mbi 40 vjet në Kuvajt dhe e ka shtrirë aktivitetin në më shumë se 40 shtete në mbarë botën. Është mirësi nga Allahu (xh.sh), që aktiviteti ynë në Shqipëri vazhdon që prej 20 vitesh.
Ceremonia u përshëndet edhe nga z. Korab Kaja, drejtor i Fondacionit “Mirësia”.
Në fjalën e tij, shprehu falënderimet për këtë bashkëpunim me Myftininë e Shkodrës, si dhe kënaqësinë e madhe të rezultateve të dukshme të punës në këtë qendër, gjë që dëshmohet edhe nga prania e grupeve të ndryshme rinore që e frekuentojnë atë.
Pas prerjes së shiritit, të pranishmit në këtë ceremoni vizituan ambientet e bukura të Qendrës si dhe shijuan koktejlin e përgatitur nga nxënësit e kësaj Qendre, nën drejtimin e mësueses së përkushtuar, znj. Kimete Elezi.
Në fund të ceremonisë, Myftiu i Shkodrës, në emër të Myftinisë i dorëzoi një Certifikatë Mirënjohjeje Shoqatës nga Kuvajti në shenjë falënderimi për të gjithë kontributin e dhënë ndër vite në Shqipëri, në veçanti në zonën e Shkodrës.