![U zhvillua ceremonia e gurëthemelit për Qendrën Kulturore në Mjedë](https://myftinia-shkoder.org/wp-content/uploads/2025/02/U-zhvillua-ceremonia-e-gurethemelit-per-Qendren-Kulturore-ne-Mjede-7-678x381.jpg)
U zhvillua ceremonia e gurthemelit për Qendrën Kulturore në Mjedë
Paraditën, e së mërkurës, më 5 shkurt 2025, në fshatin Mjedë, u zhvillua ceremonia e hedhjes së gurit të themelit për ndërtimin e Qendrës Kulturore në Mjedë, një projekt i rëndësishëm që përveç xhamisë synon të krijojë një mjedis të dedikuar për veprimtari kulturore islame dhe shoqërore në këtë zonë.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, Kryetari i Bashkisë Vau Dejës, z. Kristian Shkreli, drejtues dhe donatorë të Shoqatës Botërore “Rahmeh” nga Kuvajti, si dhe drejtori i Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja, të cilët përshëndetën këtë ceremoni simbolike me rëndësi për komunitetin.
Gjatë fjalës së tij, Myftiu i Shkodrës theksoi rëndësinë e ndërtimit të kësaj qendre kulturore, e cila do të shërbejë si vatër e dijes dhe frymëzim për edukimin e brezave të rinj me qëllim ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe kombëtare në këtë zonë me tradita dhe taban shekullor islam.
Myftiu Sytari falënderoi donatorët dhe bamirësit nga Shteti i Kuvajtit për mbështetjen e tyre bujare në shumë fusha, si në ndërtimin e xhamive, qendrave kulturore dhe mbështetjen për projekte të ndryshme sociale, kulturore, bamirëse, etj.
Këshilltari i Përgjithshëm i Shoqatës Botërore “Rahmeh”, z. Halid El-Mul-la në emër të donatorit bamirës nga Kuvajti, shprehu kënaqësinë e tij për praninë në mesin e besimtarëve në Mjedë, si dhe kënaqësinë e madhe për pjesëmarrjen e tij në këtë ceremoni simbolike, që shënon edhe fillimin e një pune të shumëpritur, rezultatet e së cilës do të na gëzojnë të gjithëve pa masë.
Këtë ceremoni e përshëndeti edhe Kryetari i Bashkisë Vau Dejës, z. Kristian Shkreli. Në fjalën e tij ai vlerësoi fillimin e punimeve për këtë qendër të re kulturore në fshatin Mjedë dhe vlerësoi realizimin e projekteve sociale dhe kulturore, që nxisin kultivimin e harmonisë dhe paqes sociale në këtë zonë.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe drejtori i Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja, i cili në mes të tjerave falënderoi Myftininë Shkodër, kryesisht Myftiun për bashkëpunimet e dobishme ndër vite, për realizimin e shumë projekteve me vlerë për qytetin, për komunitetin mbarë dhe njerëzit në përgjithësi.
Qendra Kulturore e Mjedës pritet të shërbejë për kurse fetare dhe kulturore, si një pikë takimi për fëmijët, të rinjtë dhe komunitetin, duke ofruar aktivitete të larmishme edukuese, kulturore dhe sociale.
Ndërtimi i saj pritet të përfundojë brenda një viti, duke sjellë një kontribut të rëndësishëm në jetën shpirtërore dhe shoqërore të zonës Mjedë.