
Nata e Kadrit, dyndje masive e rinisë shkodrane
Ditën e mërkurë, më 26 mars 2025, në namazin e jacisë, xhamitë e Shkodrës ishin të tejmbushura me besimtarë, që vinin për të kryer namazin e teravisë dhe për të bërë lutjet e Natës së Madhe të Kadrit.
Xhamia e Parrucës, e tejmbushur me djem dhe vajza të reja, u bë dëshmitare e një mirësie pafund nëpërmjet të cilës bashkërisht dëshmuam bekimet, butësinë, mirësinë dhe mëshirën e shpërndarë nga Zoti i gjithësisë në këtë Natë të Madhe.
I pranishëm në mesin e besimtarëve ishte edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili në fjalën e tij të mbajtur përpara nisjes së namazit të teravisë iu drejtua besimtarëve me urimet dhe lutjet më të përzemërta për pranimin e krejt muajit të madhërishëm të Ramazanit dhe Natës së Kadrit në veçanti, për të cilën theksoi se kjo Natë është e shpërndarë në dhjetë ditët dhe netët e fundit të muajit të madhërueshëm të Ramazanit, për çka besimtarët janë të ftuar, që të luten dhe të adhurojnë Zotin e tyre me plot përkushtim deri në ditën e fundit të këtij muaji të madhërueshëm të Ramazanit.
Myftiu theksoi se, mirësia dhe bekimet e Ramazanit lulëzojnë pas përfundimit të këtij muaji të madhërueshëm, ku gjithsecili prej nesh e ka në dorë të vazhdojë me këto ritme dhe me këtë frymë adhurimin dhe përkushtimin e tij ndaj Zotit dhe ndaj njëri-tjetrit në përditshmërinë e tij.
Myftiu solli eksperiencat e tij nga disa udhëtime në Perëndim, ku theksoi se falë Zotit xhamitë e shqiptarëve në Evropë janë të tjembushura me djem dhe vajza të reja, që përtej angazhimeve të tyre ditore dhe përtej punës dhe sakrificës me të cilën përballen atje, e kanë xhaminë pikë referimi dhe vend tubimi të përhershëm.
Myftiu tha se, numri i madh i të konvertuarve në Islam, sidomos në xhamitë e shqiptarëve në Perëndim, është dëshmia më e madhe e besimit dhe e lidhjes së pashmangshme të shqiptarëve me fenë shekullore të baballarëve të tyre.
Myftiu theksoi gjithashtu, se gjatë studimeve në Damask hoxhallarët theksonin se, ky shekull, pra shekulli 21 është shekulli i Islamit. Dhe, me të vërtetë, ajo që po dëshmojmë sot, është dyndja e madhe e njerëzve anembanë botës drejt dyerve të Islamit, sidomos pas ngjarjeve të fundit në Gaza, ku shpirti i besimit dhe mbrojtja me përkushtim e shenjtërive të fesë dhe të tokës janë bërë shkak, që njerëzit të kuptojnë, se rendja pas materializmit dhe thirrjeve shterpë që po e çojnë njeriun drejt shkatërrimit, janë një drejtim i gabuar dhe se zgjidhja, qetësia, rehatia e shpirtit dhe zhvillimi i jetës është aty ku Zoti i gjithësisë kërkon nga njeriu që në ditën e parë të krijimit dhe zbritjes së tij në tokë.
Nata e Kadrit është nata e 27 e muajit Ramazan dhe përkujtohet me adhurime dhe lutje të shumta nga mbarë ymeti në çdo cep të globit.
Myftinia Shkodër falënderon imamët dhe besimtarët për përkushtimin dhe gjallërimin e tyre të xhamive dhe lutet, që Allahu i Madhëruar ta pranojë adhurimin dhe përkushtimin e këtij muaji të begatë nga të gjithë besimtarët.