Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Vizita e Papës Francesco, më 21 shtator 2014, në Tiranë, është pa dyshim një gëzim i madh për besimtarët katolikë shqiptarë, të cilët, natyrshëm, presin me shumë mall e padurim vizitën e Bariut të tyre shpirtëror dhe takimin fizik me prezencën e tij.
Për mua, kjo vizitë, më sjell ndër mend fjalët e profetit Muhammed (a.s), që thoshte: “Unë jam njeriu më i afërt me Isain (Jezusin), të birin e Merjemit (Marisë)”. Ndërkohë, më kujton mirësinë e madhe, me të cilën Zoti i gjithësisë, iu drejtua njerëzisë, me ftesën e Tij hyjnore: “O ju njerëz, ne ju kemi krijuar ju nga një mashkull dhe një femër, ju kemi bërë popuj dhe fise, që të njiheni në mes vete…”. Si të thuash, kjo vizitë, është një shtysë më shumë, që shqiptarët, të kthehen dhe të shohin me vëmendje në thellësitë e shpirtit të tyre, për të gjetur burimin e besimit, për të dëshmuar secili, në liri dhe paqe me veten dhe tjetrin, vullnetin e besimit dhe rrugëtimin drejt vlerave të tij në jetë.
Vitin e kaluar, teksa lexoja mesazhin që Papa Francesco i dërgonte botës muslimane me rastin e Fitër Bajramit, ku ndër të tjera thoshte se: “Tema që dua të ndaj me ju këtë vit është: Forcimi i respektit të ndërsjellët nëpërmjet edukimit”, deklaroja publikisht se edhe ne bashkohemi me mesazhin e Papës dhe jemi të vetëdijshëm se muslimanë dhe të krishterë, duhet të punojmë më shumë bashkërisht në këtë drejtim, si fetarë të mirë e atdhetarë të mirë, (jashtë ndikimeve dhe influencave jobesimtare), për të kërkuar lartësimin kombëtar nëpërmjet rrugëve të fesë dhe besimit, ku rikthimi i lëndës së edukimit fetar në shkollat tona, është një hap me rëndësi të veçantë dhe një kthesë kulminante në shkëputjen nga ateizmi dhe persekutimi i vlerave të fesë.
Sepse, unë mendoj se një komb, ku nuk respektohet besimi dhe feja, ku nuk ka mirëkuptim dhe harmoni në mes bijve të tij, ku feja nuk luan si duhet rolin e edukatorit dhe mbrojtësit të vlerave të harmonisë dhe respektit të ndërsjellët, ku fetarët e mirë nuk bashkëpunojnë për të ardhmen e fëmijëve dhe rinisë së tyre dhe nuk gjejnë mbështetjen e duhur nga realitetet shoqërore dhe ato vendimmarrëse, është një komb i dobët, që shkon verbërisht drejt dekadencave. E, ne shqiptarët nuk jemi komb i dobët dhe nuk duhet të pranojmë rrugëtimin e verbër drejt dekadencës shpirtërore, intelektuale dhe qytetëruese. Besimi ynë është më i madh se sfidat e afetarizmit dhe zhveshjes nga identiteti i shpirtit; secili në Thirrjen dhe Dritën e tij!
Në mesazhin e tij, me rastin e takimit Ndërkombëtar për Paqen, në Antwerp, 7-9 shtator 2014, Papa Francesco, teksa kritikon luftrat, me të cilat po përballet bota sot, shkatërrimin dhe dhunën e papranueshme, vë theksin te dialogu dhe lutja dhe nevoja për to në jetën tonë. Thekson se: “Mund të gjendet përherë një alternativë: rruga e dialogut, e takimit dhe kërkimi i sinqertë i të vërtetës”. Po! Ky është një mesazh, me të cilin bashkohemi, muslimanë dhe të
krishterë, sikurse lutemi dhe thërrasim që njeriu i kohës tonë, të gjejë paqen me Zotin, mos ta kthejë besimin dhe fenë në armë shkatërrimi, (duke justifikuar paudhësinë e tij dhe devijimin nga vlerat e qënies njeri dhe mrekullia e përzgjedhjes së tij për t’iu shfaqur Zoti nëpërmjet Thirrjeve dhe Librave të Shenjtë), si dhe të gjejë rrugën e së vërtetës, që do ta ndriçojë jetën e tij drejt Zotit, dashurisë së Tij dhe Paqes, për të cilën të gjithë kemi nevojë dhe që na përket të gjithëve, me krejt diversitetin fetar, etnik e kulturor!
Papa Francesco ardhtë në Paqe dhe paqja e shoqëroftë në udhëtimin e tij në tokën e Paqes; në Shqipërinë e vlerave të besimit!
Shkodër, më 10 shtator 2014