Paraditën e së martës, më 21 shkurt 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, thirri në një analizë të detajuar mbi vakëfin e lagjes Zogaj, por jo vetëm, menaxherin e pronave dhe juristin e Myftinisë.
Gjatë analizës, u përsërit fakti i nëpërkëmbjes së vazhdueshme që institucionet e vendit po i bëjnë prej më shumë se dy dekadave, vakëfeve të shenjta të muslimanëve. Në këtë kontekst, u rreshtuan shkeljet e ndryshme të institucioneve dhe dëmet e korrupsionit flagrant në këtë vend.
U analizua çështja e vakëfit të zaptuar në Zogaj dhe një ndërtimi flagrant, që ka nisur prej disa vitesh në tokën e uzurpuar të vakëfit dhe që sot vazhdon punimet në qetësi të plotë, edhe me mbështetje politike, për të cilën, Myftinia Shkodër tërheq vëmendjen e subjekteve politike të kenë kujdes të madh, sepse shenjtëria e fesë dhe e vakëfit qëndron mbi çdo interes tjetër të kësaj bote!
Myftinia Shkodër denoncon publikisht katrahurën e uzurpimit të pronave vakëf, legalizimin e paturpshëm të disa ndërtimeve mbi këto toka dhe dhënien e certifikatave në shkelje flagrante me ligjin.
Për këtë, Myftinia Shkodër do të dorëzojë shumë shpejt në prokurori dosjet me kallëzimet konkrete në lidhje me këto shkelje.
Njëkohësisht, do të përdoren të gjitha mjetet legjitime për mostolerimin e askujt që ka abuzuar dhe vazhdon të abuzojë në këtë drejtim; qoftë njeri me pushtet të përkohshëm, qoftë kushdo që ndërron flamujt e partive mbi haramin e uzurpuar!