Mbrëmjen e së shtunës, më 18 shkurt 2017, Mexhlisi i Bashkësisë Islame të Ulqinit, organizoi një program fetar me temë: “Muhammedi (a.s), simbol i paqes”, ku përveç ilahive nga i nderuari, Egzon Ibrahimi dhe programit të bukur artistik, ligjëruan edhe të ftuarit e kësaj mbrëmje, Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Shkodrës, si dhe teologu Metin Izeti, pedagog në Universitetin e Tetovës.
Në referatin e Myftiut të Shkodrës, ndër të tjera, u spikat fakti, se: “Transmetimet e sakta mbi ndodhitë e Israsë dhe Miraxhit, përmbajnë në vetvete filozofinë e krejt dërgesës udhëzuese të Hz. Muhammedit (a.s), si Lajmëtar i Paqes, ndërtues dhe mbrojtës i saj!
Sepse, zotëria i jonë, Resulull-llahu (a.s), ishte i vetmi në historinë e njerëzimit, që në një natë të vetme, pas mbi 10 viteve të mbushura me sakrifica, durim, lodhje, lëndime e refuzim, iu hapën dyert e qiejve, për t’u takuar me të dërguarit më të spikatur të historisë së shekujve, për të marrë lutje e mirënjohje prej tyre, si dhe për të ndarë me ta lutje e bekime për mbarë ymmetin, deri në ditën e gjykimit!
Si të thuash, brenda një nate të vetme, All-llahu i Madhëruar, i dëshmoi zemrës së Hz. Muhammedit (a.s), krejt të dërguarve para tij, ymmetit islam dhe krejt njerëzisë, deri në ditën e fundit, se Hz. Muhammed Mustafaja është i Dërguari i Paqes, ymmeti i tij, ymmet i Paqes, thirrja e tij, thirrje e Paqes, Zoti i tij dhe i gjithësisë, Es-Selamu, përshëndetja e ymmetit të tij: “Es-Selamu alejkum”, pra: “Paqja qoftë mbi ju!”, thirrja e tij: “Përhapeni selamin në mes jush, të duheni!” dhe përshëndetja e tyre, ditën kur do të trashëgojnë xhennetet e Zotit të tanësisë, do të jetë: “Selamun alejkum”!
Për këtë, ai Zotni (a.s): “Kalonte pranë fëmijëve dhe u jepte selam!”, që të mësonte filizat e rinj, se jeta e jonë, feja e jonë, përshëndetja e jonë, thirrja e jonë është SELAMI-PAQJA!
Nga këtu, mendoj se ne si muslimanë e kemi keqlexuar hadithin: “Përhapeni selamin, të paqtoheni!”, ose nuk ia kemi dhënë hakun e duhur kësaj ftese për të jetuar në harmoni e vëllazëri të plotë me njëri-tjetrin, por edhe me botën mbarë! E kemi lexuar cungët, teksa dëshmojmë një gjendje paradoksale të botës tonë islame, tama-tamam, siç paralajmëronte Resulull-llahu (a.s): “Shumë, por shkumë, si shkuma e detit!”…
Sepse trupëzimi i Paqes me Zotin, me veten e tjetrin në jetë, nis që nga vetëdija, brumosja dhe edukimi me kulturën e Paqes; në përshëndetje, në komunikim, në nijet, në vepra, në distancim nga paragjykimi, urrejtja, mendimi i keq për tjetrin, në ruajtje nga haramet, në frenim të nervozizmit dhe në ruajtje të ekuilibrave në jetë, që të gjitha këto të marra së bashku, përbëjnë për ne muslimanët: FÉ! Dhe, feja e jonë është e bazuar mbi themele të forta humanizmi, paqeje, mëshire dhe tolerance!
Ndërkohë, Zoti i githësisë i ka cilësuar të nënshtruarit ndaj Tij me këtë cilësi: [E robërit e Mëshiruesit janë ata që ecin në tokë me butësi, e kur atyre u drejtohen injorantët me fjalë, ata thonë: “Paqe!”] – (Furkan: 63).”