Në Shkodër u fal namazi i eklipsit të Hënës

Në Shkodër u fal namazi i eklipsit të Hënës

Në Shkodër u fal namazi i eklipsit të Hënës

Sikurse dhe ishte lajmëruar, ditën e diel, më 7 shtator 2025, edhe në vendin tonë u shfaq fenomeni i eklipsit të Hënës, që këtë vit u shfaq i plotë edhe në qytetin e Shkodrës.

Sipas traditës islame, Myftinia Shkodër organizoi faljen e namazit e eklipsit të Hënës në xhaminë e Parrucës pas namazit të jacisë.

Në fjalën e rastit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari vuri theksin tek ngjarja e eklipsit të diellit me rastin e vdekjes të djalit të Hz. Muhammedit (a.s), Ibrahimit të vogël (a.s), ku disa njerëz menduan se eklipsi i diellit ka ndodhur për shkak të vdekjes së djalit të të Dërguarit të Allahut (a.s). Me këtë rast, Resulullahu (a.s) iu drejtua njerëzve duke thënë se: “Ato të dyja (dielli e hëna) janë dy shenja prej shenjave të Allahut, nuk eklipsohen me vdekjen apo lindjen e askujt, prandaj kur t’i shikoni ngrihuni në namaz!”

Myftiu theksoi se: “Shfaqja e eklipsit në këtë natë është një arsye më shumë për t’iu përgjigjur thirrjes së Pejgamberit (a.s) për faljen e këtij namazi, që mbi të gjitha na lidh me Krijuesin e gjithësisë, në dorën e të Cilit është gjithçka, edhe eklipsimi i kësaj hëne, që mbrëmë në këtë kohë ishte e plotë dhe shndriste mbi qiellin e qytetit të Shkodrës, ndërsa sonte në këto momente që jemi mbledhur në këtë xhami për ta falë namazin e eklipsit, ajo mezi shihet dhe i ngjan më shumë hilalit të natës së parë të Ramazanit” – tha ndër të tjera Myftiu.

Namazin e eklipsit e drejtoi imami i xhamisë së Parrucës, teologu i nderuar, H. Durim Kasemi. Pas namazit të eklipsit, duanë e rastit e bëri Myftiu i Shkodrës, i cili iu lut Allahut të Madhëruar për mëshirë, për falje dhe begati për besimtarët, familjarët dhe të afërmit e tyre dhe mbarë bashkësinë islame dhe qytetare të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë.