Myftiu i Shkodrës: “Të na shërbejnë Tre Muajt e Mirë për rritjen tonë në besim!”

Myftiu i Shkodrës: "Të na shërbejnë Tre Muajt e Mirë për rritjen tonë në besim!"

Myftiu i Shkodrës: “Të na shërbejnë Tre Muajt e Mirë për rritjen tonë në besim!”

Nëpërmjet minberit të xhamisë së lagjes Dërgut, ditën e xhuma, më 2 janar 2026, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, iu drejtua besimtarëve të shumtë të pranishëm në xhami me një mesazh që ka të bëjë me vlerësimin e mirësisë së madhe të udhëzimit në Islam dhe dëshmimit të madhështisë së besimit në jetën e përditshme.

Nëpërmjet argumenteve të shumta nga Kur’ani Famëlartë dhe porositë e të Dërguarit të Allahut (a.s), Myftiu Sytari u ndal fillimisht tek mirësia e madhe e të shijuarit të besimit në Allahun e Madhëruar në jetën tonë të përditshme.

Myftiu theksoi se prania e besimit në zemrat e njerëzve është mbi të gjitha një përzgjedhje hyjnore dhe dëshmi e dashnisë së Allahut të Madhëruar për gjithsecilin prej nesh.

Më pas Myftiu kërkoi nga besimtarët që të shfrytëzohet periudha e begatë e Tre Muajve të Mirë për të përmirësuar cilësinë e adhurimit, për të kërkuar falje nga Zoti i gjithësisë për gabimet dhe gjynahet e shkuara, si dhe për të hapur një faqe të re në jetën e gjithsecilit prej nesh.

Ai vuri theksin tek prania e istigfarit (kërkimit falje), në jetën e të dërguarve të Allahut, si dhe lutjen e tyre për besimtarët deri në ditën e fundit.

Myftiu e mbylli hytben e tij të kësaj jave duke sjellë në vëmendjen e besimtarëve një ngjarje të mrekullueshme nga jeta Hz. Muhammedit (a.s) dhe lutjen e tij të madhe për Nanën tonë të dashur, Hz. Aishen (r.anha), si dhe për çdo besimtar deri në ditën e fundit.

Ai tha se i Dërguari i Allahut (a.s) ka kërkuar falje për besimtarët, pas çdo namazi, edhe si një shenjë e lidhjes së përhershme që besimtarët kanë me njëri-tjetrin dhe përkatësinë e patjetërsueshme të besimit dhe lidhjes me Hz. Muhammedin (a.s) deri në frymën e fundit.

Gjatë hytbes së kësaj xhumaje u dhanë porosi dhe këshilla për të rregulluar marrëdhëniet familjare, farefisnore dhe ato shoqërore, si dhe distancimin nga çdo frymë dhe agjendë që punon pandërprerje kundër besimit dhe vlerave të shëndosha të tij, sidomos kundër përpjekjeve sistematike të politikave të gabuara kundër familjes në Shqipëri.

Hytben e plotë e ndiqni në linkun e mëposhtëm: