Pastë rahmet Heroi më i madh i kryeqendrës së Veriut, Hasan Riza Pasha!

Pastë rahmet Heroi më i madh i kryeqendrës së Veriut, Hasan Riza Pasha!

Allahu i Madhëruar të pastë në mëshirën e Tij, Komandanti legjendar i Shkodrës, Mbrojtësi i saj, Heroi më i madh i kryeqendrës së Veriut, Hasan Riza Pasha!

Sa me madhështi lexohen sot, fjalët e Hortense von Zambaur, gruas së konsullit austriak në Shkodër, asokohe, kur shkruan në Ditarin e saj: “Heroi i rrethimit të Shkodrës është i veshur me uniformë ushtarake, me një qëndrim si Napoleoni. Sido që të përfundojë kjo luftë, emri i tij do të shënohet përjetë në analet e historisë!” – (Ditari i cit., f. 18-44).

Hamdi Bushati, duke iu referuar revistës “Cirka”, 1928, teksa përshkruan Komandantin, citon: “Hasan Riza Pasha me shkencën e vet strategjike ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë ushtarake si mbrojtës i Shkodrës në rrethimin historik të saj që, ndonëse i huej, tue krye në kuptimin ma të plotë detyrën e tij, kjo një ndër shkaqet jo ma të mramet që Shkodra muejt me qenë pjesë e pandame e nanës Shqipni. Me vullnetin e pathyeshëm të Hasan Riza Pashës u ndalue turri i ushtrive të besëlidhuna balkanike…” – (Hamdi Bushati, “Shkodra dhe motet”, bot. i 2-të, Shkodër, 2005, v. 1, f. 365).

Dhe rikthehem te Ditari i zonjës austriake në Shkodër: “19 tetor 1912. Në ndërtesën e Bashkisë u ngrit flamuri i gjelbër i Profetit. Lajmëtari publik (tellalli) bën thirrje që të luftojnë e të vdesin për Atdheun. Myslimanët janë të mbushur me entuziazëm dhe të shumtë janë ata që vrapojnë me armë në duar nëpër trashe.

25 nëntor 1912. Një shpallje e vendosur në mur, e nënshkruar nga Hasan Rizaja dhe Esat Pasha, njofton banorët e Shkodrës se ai që shprehet për dorëzimin e qytetit, do të varet!

28 nëntor 1912. (Dita e pavarësimit. -M.S-). Turqit e tregojnë veten edhe një herë si mbrojtës shumë të fortë.”

Dhe emri i Komandantit legjendar, mbetet edhe sot, një Diell vezullues mbi Shkodër, feksimin e të cilit s’e mbulon dot as krrakëllima e korbave të mesjetës, as hutia e “njeriut të ri”, që dorë për dore, shtiren si ndërtues të së resë në realitetet e këtij nënqielli!

Pastë rahmet Heroi ynë i Madh!

Imam Muhamed B. Sytari

Në gjunjë, mbi tokën e lirë të Shkodrës, në lutje për heronjtë e mëdhenj të saj, më 30 janar 2026

(https://www.instagram.com/p/DUIF8V_CE10/)