“Ngrihuni në këmbë për këtë emër!”
Ditën e xhuma, më 30 janar 2026, nëpërmjet minberit të xhamisë së Parrucës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, iu drejtua besimtarëve me një mesazh në përkujtim të rënies së Komandantit legjendar, Mbrojtësit të Shkodrës dhe Valiut të saj, Hasan Riza Pasha, më 30 janar 1913, në ditët e vështira të rrethimit të Shkodrës.
Gjatë hytbes së kësaj xhumaje, Myftiu i Shkodrës vuri theksin tek pozita e lartë e komandantit Hasan Riza Pasha, ku ndër të tjera theksoi aftësitë e mëdha të këtij Heroi të madh të kombit tonë, veçori me të cilat spikati si një udhëheqës me peshë, që siç thonë edhe shënimet e shtypit të kohës: “Hasan Riza Pasha me shkencën e vet strategjike ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë ushtarake si mbrojtës i Shkodrës në rrethimin historik të saj që, ndonëse i huej, tue krye në kuptimin ma të plotë detyrën e tij, kjo një ndër shkaqet jo ma të mramet që Shkodra muejt me qenë pjesë e pandame e nanës Shqipni. Me vullnetin e pathyeshëm të Hasan Riza Pashës u ndalue turri i ushtrive të besëlidhuna balkanike…” – (Hamdi Bushati, “Shkodra dhe motet”, bot. i 2-të, Shkodër, 2005, v. 1, f. 365).
Gjatë hytbes së kësaj xhumaje, Myftiu i Shkodrës iu referua ditarit të zonjës Hortense von Zambaur, bashkëshortja e konsullit austriak në Shkodër asokohe, e cila ka mbajtur shënim detaje të ndryshme nga realiteti i Shkodrës në ato muaj të vështirë të rrethimit të vendit tonë, si dhe pozitën e lartë të Mbrojtësit të Shkodrës, Hasan Riza Pasha.
Ndër të tjera, Myftiu theksoi se: “Në shënimet e zonjës Hortense von Zambaur lexojmë edhe sa vijon: ‘18 tetor 1912. Mijëra shkodranë myslimanë kanë rrokur armët dhe janë betuar që të vdesin për Atdheun… 19 tetor 1912. Në ndërtesën e Bashkisë u ngrit flamuri i gjelbër i Profetit. Lajmëtari publik (tellalli) bën thirrje që të luftojnë e të vdesin për Atdheun. Myslimanët janë të mbushur me entuziazëm dhe të shumtë janë ata që vrapojnë me armë në duar nëpër trashe. 25 nëntor 1912. Një shpallje e vendosur në mur, e nënshkruar nga Hasan Rizaja dhe Esat Pasha, njofton banorët e Shkodrës se ai që shprehet për dorëzimin e qytetit, do të varet! … 6 janar 1913. Sonte, në mbrëmje, e ndezëm përsëri pemën e krishtlindjeve. Hasan Rizaja, nëpërmjet kolonel Fahri Beut, i ka dërguar burrit tim një fotografi. Heroi i rrethimit të Shkodrës është i veshur me uniformë ushtarake, me një qëndrim si Napoleoni. Sido që të përfundojë kjo luftë, emri i tij do të shënohet përjetë në analet e historisë!’ … ” – theksoi ndër të tjera Myftiu Sytari.
Gjatë hytbes së kësaj xhumaje, Myftiu përmendi poashtu edhe vargjet e marshit që Hasan Riza Pasha kërkoi nga poeti At Gjergj Fishta, ku ndër të tjera lexojmë:
Prej kah lenë e merr hana
Mu çue shekulli kundra nesh
Djelm kreshnikë na bani nana
Vetëm na iu dalim ndesh.
Të parët tonë burra çelikut
Bota mbarë sot i nderon
Ata i binin ndesh armikut
Si rrufeja kur veton.
Në ballë të ushtrisë u ngreh bajraku
Luftë buria që po thërret,
Bini djelm ku derdhet gjaku,
Për liri e për Mbret.
Kush të jetë djal në ushtri të Sulltanit
Kush të jetë djal që deken ban
Të dalin sot ai në fushë të mejdanit
Me dhanë jetën për vatan
Asht ollsun ushtria Osmane
Nene Sanxhak rreshtue tabor
Marre të parve kurr s’iu çon
Se përpara bijnë gjallë në vorr.
Poashtu solli në vëmendje edhe argumente të tjera plot vlerë, që tërheqin vëmendjen për respektin dhe nderim që duhet të kemi të gjithë për personalitetin e lartë të këtij Heroi të madh të kombit tonë.
Në fund të ligjërimit të tij, Myftiu Sytari kërkoi që në përfundim të namazit të xhumasë së sotme lutja e kësaj dite t’i kushtohet shpirtit të Komandant Hasan Riza Pashës dhe dëshmorëve të Shkodrës që dhanë jetën, që të gjithë ne dhe kryeqendra e veriut të ngelej pjesë e hartës të Shqipërisë sonë të shtrenjtë.
Hytben e plotë të Myftiut mund ta ndiqni këtu: