40 umrexhi shkodranë nisen drejt Vendeve të Shenjta

40 umrexhi shkodranë nisen drejt Vendeve të Shenjta

Ditën e shtunë, më 24 janar 2026, pas namazit të iqindisë, në xhaminë e Parrucës, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Agjencinë “Umre Medina Travel Albania” organizoi aktivitetin e përcjelljes së 40 umrexhive shkodranë, të cilët do të nisen drejt Vendeve të Shenjta, ditën e diel, më 25 janar 2026.

Aktivitetin e hapi teologu Ensar Ismalaj, i cili foli për rëndësinë dhe përgjegjësinë që ka organizimi i Haxhit dhe i Umres, si dhe përvojat e studentëve shqiptarë të Universitetit të Medines, të cilët gjithmonë janë angazhuar në shërbim të haxhilerëve dhe umrexhive.

Më pas, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, në fjalën e tij u shpreh se është mirësi e madhe nga Allahu i Madhëruar përzgjedhja e besimtarëve muslimanë të Shkodrës përgjatë shekujve për të vizituar Vendet e Shenjta dhe për të qenë prej haxhilerëve dhe umrexhive.

Myftiu theksoi se shtimi i numrit të haxhilerëve dhe umrexhive shqiptarë, vit pas viti, është dëshmi e madhe e besimit dhe e rritjes së dëshirës së rinisë në veçanti për ta dëshmuar identitetin e tyre islam edhe nëpërmjet kryerjes së këtij adhurimi.

Gjithashtu, në fjalën e tij, Myftiu Sytari nxiti për të shtuar vizitat e Vendeve të Shenjta, duke treguar për hadithin e Pejgamberit (a.s), i cili ka thënë: “Vazhdoni dhe kryeni Haxhin dhe Umren, sepse ato të dyja zhdukin varfërinë dhe gjynahet, ashtu si zjarri zhduk papastërtitë e hekurit, arit e argjendit!”

Pastaj, fjalën e mori H. Gilman Kazazi, në pozitën e drejtuesit të këtij grupi të umrexhive. Ai u ndal tek rëndësia dhe rregullat e kryerjes së Umres, sikurse dha këshilla dhe porosi të dobishme për të pranishmit që udhëtojnë drejt Vendeve të Shenjta.

Ai iu drejtua besimtarëve që të jenë të vëmendshëm gjatë momenteve të kryerjes së Umres në mënyrë që ritualet e këtij adhurimi madhështor të jenë sa më të plota dhe ky udhëtim të ketë suksesin dhe pranimin nga ana e Zotit të gjithësisë.

Në fund të aktivitetit u shpërndanë edhe ihramet për grupi e umrexhive.