“Besoni tek e mira që bëni!”, mesazhe me vlerë nga H. Tahir Zenelhasani
Ditën e shtunë, më 31 janar 2026, Myftinia Shkodër zhvilloi tribunën fetare të radhës në atmosferën e Tre Muajve të Mirë, ku i ftuar nderi ishte edukatori i dashur dhe intelektuali i shquar, H. Tahir Zenelhasani.
Aktiviteti i u përshëndet nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari dhe nga Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, të cilët dhanë mesazhet e rastit duke tërhequr vëmendjen drejt rëndësisë së dijes dhe vlerave të saj si shpëtim për njeriun në realitetet e ndryshme të jetës së tij.
Me shumë vëmendje të pranishmit ndoqën ligjëratën e të nderuarit H. Tahir Zenelhasani, i cili shprehu kënaqësinë e tij për këtë ftesë bujare të Myftinisë Shkodër, një qytet për të cilin ai shprehu respektin dhe nderimin e madh për historinë e pasur të këtij qyteti të dijes dhe të dijetarëve ndër shekuj.
Në ligjëratën e tij, i nderuari H. H. Tahir Zenelhasani foli për majat e adhurimit që konsiston në mendimin e mirë për Zotin në jetë, sikurse tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve që njëkohësisht si kulm i adhurimit në jetën e përditshme duhet të jetë mendimi i mirë për njëri-tjetrin për të ruajtur komunikimin plot dinjitet dhe harmoni si mëkëmbës të Zotit në jetë.
Ligjëruesi i nderuar theksoi se ne si besimtarë kemi privilegjin e madh të jetojmë dhe të punojmë për hatër të Zotit duke ndërtuar të mirën, duke e jetuar atë në përditshmëri dhe duke e përhapur me tjetrin kushdo qoftë ai. Ai theksoi se ne nuk duhet të mendojmë për fidanin e fundit, por të mbjellim çdo ditë nga një fidan të së mirës për ta zbukuruar jetën dhe për ta mbushur atë me bekimet dhe pëlqimet e Zotit Fuqiplotë.
Në ligjëratë e kësaj dite u vu theksi njëkohësisht edhe tek realiteti i banorëve të Gazës, të cilët prej vitesh përballen me një zullum të pashembullt, por që në vetvete me këmbënguljen, besimin dhe dinjitetin e tyre u kthyen në një shembull për rizgjimin e vetëdijes së mbarë njerëzimit drejt faktit se njeriu me besim dhe në të drejtën me këmbëngulje dhe larg pesimizmit mund të kthehet në një mrekulli që fton drejt rimëkëmbjes së vlerave për mbarë njerëzimin.
Ligjëruesi i nderuar theksoi se njeriu është krijesë e ftuar drejt moralit, virtytit dhe zhvillimit dhe se Zoti i gjithësisë e krijoi të aftë që të jetë mëkëmbësi i Tij në tokë. Prandaj, sikurse edhe theksoi ftesa e besimit për gjithësecilin prej nesh sot është të rikthehemi tek origjina e jonë për të përmirësuar realitetet e përditshme që jo pak janë prishur.
Aktiviteti u mbyll nga teologu Lavdrim Hamja, i cili pasi falënderoi mikun e shtrenjtë për ligjëratën cilësore dhe mesazhet plot vlera të saj lajmëroi të pranishmit se aktivitetet e Myftinisë Shkodër në prag të muajit të madhërishëm të Ramazanit do të vijojnë me ligjëratën e radhës të shtunën e ardhshme, më 7 shkurt 2026, pas namazit të mesditës në xhaminë e Parrucës.



















