Myftiu: “Ramazani, mundësi e madhe e vetëpërmirësimit!”
Ditën e mërkurë, më 25 shkurt 2026, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mbajti ligjëratën e radhës në prag të namazit të teravisë në xhaminë e lagjes Dërgut.
Në praninë e të rinjve të shumtë që frekuentojnë këtë xhami, Myftiu dha disa mesazhe me rëndësi në funksion të vetëpërmirësimit dhe shfrytëzimit të ditëve dhe netëve të muajit të Begatë të Ramazanit për të bërë gjithësecili llogaritë e tij me Zotin e gjithësisë në funksion të distancimit dhe largimit nga gjynahet dhe veprat e papëlqyera në Islam dhe lartësimit në gradat më të larta të shembullit të njerëzve të përkushtuar.
Në këtë kontekst, Myftiu solli në vëmendje të besimtarëve të pranishëm një ngjarje nga aktualiteti që ka të bëjë me rëndësinë e vlerësimit të pozitës së nënës në jetë, ku tërhoqi vëmendjen e të gjithëve drejt një fjale të madhe sahabiut Ebu Derda (r.a) që thotë: “Vepra e mirë nuk tretet, gjynahu regjistrohet, i Plotfuqishmi nuk vdes, atë që bën, do ta bëjnë!”
Myftiu tërhoqi vëmendjen drejt domosdoshmërisë së shfrytëzimit të periudhës së begatë Ramazanit për t’u penduar, për të kërkuar falje përpara duarve të Allahut, për t’i kërkuar hallallëk njëri-tjetrit dhe për ta pastruar realitetin e përditshmërisë tonë nga njollat e gjynaheve dhe gjurmët e hirta të tyre në përditshmërinë tonë.
Muaji i Ramazanit është një periudhë e begatë, ku Myftiu dhe imamët e ndryshëm të xhamive tona japin çdo natë mesazhe dhe këshilla të dobishme për besimtarët në frymën e përjetimeve të larta shpirtërore përgjatë kësaj periudhe të begatë.




