Myftiu i Shkodrës mori pjesë në tribunën fetare të xhamisë “Bashkimi” në Linz të Austrisë

Myftiu i Shkodrës mori pjesë në tribunën fetare të xhamisë “Bashkimi” në Linz të Austrisë

Myftiu i Shkodrës mori pjesë në tribunën fetare të xhamisë “Bashkimi” në Linz të Austrisë

Ditën e shtunë, më 28 shkurt 2026, pas namazit të akshamit, xhamia “Bashkimi” në Linz të Austrisë organizoi një tribunë fetare me të ftuar nderi, Myftiun e Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari.

Në fjalën e rastit, imami i kësaj xhamie, hoxha i nderuar, H. Menderez Alili shprehu kënaqësinë e tij personale dhe të kryesisë së xhamisë “Bashkimi” për praninë e Myftiut të Shkodrës në mesin e tyre në këtë natë të begatë të Ramazanit.

Ai theksoi se muaji Ramazan është një periudhë e bekuar kohore, me të cilën aktiviteti fetar gjallërohet më shumë se në çdo pjesë tjetër të vitit.

Njëkohësisht falënderoi Myftiun e Shkodrës për pranimin e ftesës dhe i uroi atij mbarësi dhe suksese në aktivitetin e gjerë në shërbim të Thirrjes Islame.

Në ligjëratën e tij të kësaj mbrëmjeje të shënuar në xhaminë “Bashkimi”, Myftiu i Shkodrës u ndal tek rëndësia që ka përkushtimi në jetën e përditshme të muslimanit për të dëshmuar Islamin nëpërmjet veprave konkrete, duke përsosur punën e përditshme dhe duke dëshiruar për tjetrin atë që dëshiron për vete.

Myftiu Sytari iu qas hadithit të Pejgamberit (a.s) që thotë: “Besimtari është njeri i dashur dhe që duhet edhe nga të tjerët, dhe nuk ka dobi në një person, i cili nuk do të tjerët dhe të tjerët nuk e duan!”

Nëpërmjet kësaj Myftiu kërkoi nga besimtarët e pranishëm, sidomos rinia e shumtë, ta shfrytëzojnë kohën për ta përsosur marrëdhënien e tyre me besimin dhe fenë dhe për t’u veshur me moralin për ta dëshmuar atë në përditshmërinë e tyre në marrëdhënie me njerëzit kushdo qofshin ata.

Më pas Myftiu Sytari solli në vëmendje të pranishmëve ajetin 208 të sures El-Bekare: “O ju që besuat, hyni tërësisht në Islam (nënshtrohuni plotësisht), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armik i juaji i hapët!”, ku theksoi se ftesa hyjnore për ta praktikuar Islamin në tërësi është ftesë për të ruajtur dinjitetin dhe për të ndjerë krenarinë e përkatësisë dhe lidhjes me fenë e Allahut të Madhëruar.

Ndër të tjera, ai theksoi se në të gjitha shtyllat islame adhurimet kanë një emërues të përbashkët që është ruajtja e ekuilibrave të fesë në jetën e përditshme, nxitja e përkushtimit dhe dorëzimi para vullnetit të Allahut dhe të jetuarit me dinjitetin e mëkëmbësit të Zotit në tokë.

Në përfundim të ligjëratës së Myftiut, kryetari i xhamisë “Bashkimi” në Linz, z. Zumret Ademi, i dorëzoi Myftiut të Shkodrës pllakatën e Mirënjohjes së xhamisë “Bashkimi” për kontributin dhe pjesëmarrjen në këtë tribunë të paharruar.

I pranishëm në këtë tribunë fetare, ishte edhe kryetari i Komunitetit Shqiptar të Bashkësisë Islame të Austrisë (ALKIG), H. Vahidin Beluli, i cili iu drejtua të pranishmëve me një urim dhe përshëndetje të posaçme në këtë organizimi me rastin e muajit të Begatë të Ramazanit.

Pas tribunës fetare u fal namazi i jacisë i pasuar nga 20 rekatet e teravisë dhe më pas u zhvillua një mexhlis i begatë me pyetje-përgjigje që e gjallëroi këtë natë të begatë dhe të paharruar.