Pasditen e së enjtes, më 13 prill 2017, përfaqësues të Myftinisë Shkodër bënë një vizitë në shtëpitë e djegura të familjes Hoxha, duke shprehur ngushëllimet e tyre me rastin e kësaj fatkeqësie.
Përfaqësuesit e Myftinisë i dorëzuan vëllezërve Hoxha një shumë të mbledhur në xhamiotë e Shkodrës, si kontribut solidarizimi i besimtarëve me këtë familje në fatkeqësinë e saj.
H. Fejzi Zaganjori, imam i xhamisë së Rusit dhe teologu Lavdrim Hamja, i dorëzuan në emër të Myftinisë Shkodër kontributin e mbledhur prej bamirësisë së besimtarëve.
Imamët e nderuar i transmetuan vëllezërve Hoxha, selamet dhe lutjet e përzemërta, në emër të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed Sytari dhe krejt besimtarëve të Shkodrës, që Zoti i Madhuar t’i ndihmojë dhe t’u bëhet mbështetje në kapërcimin e kësaj fatkeqësie.
Vëllezërit Xhelal, Ruzhdi, Merzuk Hoxha dhe bashkëshortja e të ndjerit Haki Hoxha, falënderuan nga ana e tyre të gjithë ata, që kanë kontribuar dhe u janë gjetur pranë në këto momente të vështira, ku shtëpitë e tyre u përfshinë nga flakët dhe u shkrumbua çdo gjë që posedonin.
Myftinia Shkodër u bën thirrje gjithë qytetarëve të Shkodrës, institucioneve, bizneseve, deputetëve dhe krejt bamirësve që të vazhdojnë të kontribuojnë për këto familje në përballimin e fatkeqësisë së tyre dhe njëkohësisht lutemi, që Zoti i Madhëruar t’u japë ndihmën dhe mbarësinë e tij në mbështetje të këtyre familjarëve, për t’u kthyer sa më parë në shtëpitë e tyre.