Myftiu fali namazin e teravisë me xhematin e xhamisë tek Ura e Bunës
Mbrëmjen e së hënës, më 2 mars 2026, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zgjodhi xhaminë tek Ura e Bunës për të falur namazin e teravisë natën e 13-të të Ramazanit 1447.
Në ligjëratën e kësaj mbrëmjeje, Myftiu iu drejtua të pranishmëve me një këshillë në shërbim të forcimin të besimit dhe përpjekjes për ta shijuar çdo udhëzim të fesë në jetën e përditshme, si dhe nxitjen për t’u bërë gjithësecili thirrës drejt vlerave të fesë së tij me vepra konkrete para fjalës.
Myftiu solli në vëmendje të të rinjve të pranishëm shembullin e tre të rinjve në kohën e Pejgamberit (a.s) që me dëshirën për të bërë më të mirën përzgjodhën të vepronin diçka që më pas Pejgamberi (a.s) e cilësoi si veprim jashtë rrugës së traditës së tij.
Nga këtu, Myftiu theksoi se të qënurit fetar i mirë nuk do të thotë të ndikohesh nga emocionet e momentit a euforia, por ta jetosh Islamin me maturi dhe me hapa të avashtë, duke e dëshmuar mrekullinë e besimit dhe dritën e tij në harmoni me jetën dhe me shoqërinë.
Myftiu falënderoi imamin e xhamisë, H. Ridvan Luzaku, për përkushtimin e tij në edukimin e brezit të ri, fëmijëve në veçanti, si dhe për krijimin e një atmosfere të ngrohtë dhe shpirtërore, nëpërmjet të cilës xhamia kthehet në pikë referimi për krejt komunitetin.




