Nga Xhamia e Plumbit, Myftiu nxit shfrytëzimin e ditëve të mbetura të Ramazanit 1447
Ditën e mërkurë, më 11 mars 2026, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari drejtoi faljen e namazit të teravisë në xhaminë e Plumbit.
Në prag të 20 rekateve të kësaj nate, Myftiu iu drejtua të pranishmëve me një mesazh nëpërmjet të cilit bëri thirrje që ditët dhe netët e ngelura të muajit Ramazan të kenë një përkushtim më të veçantë nga të gjithë besimtarët pa përjashtim.
Myftiu theksoi se, ditët e kaluara të këtij Muaji ishin të mbushura me gjallëri të xhamive tona, me aktivitete, tubime, ligjërata, mesazhe, bamirësi, sofra iftaresh, tubime të ndryshme dhe u karakterizuan nga një frymë e harmonisë dhe e vëllazërisë në mesin e besimtarëve.
Myftiu kërkoi që ditën e ngelura të këtij Muaji të Begatë të shfrytëzohen maksimalisht edhe si një dëshmi e përkushtimit të madh nga të gjithë besimtarët, të cilët në këto 10 ditë të mbetura kërkojnë me lutjet dhe përkushtimin e tyre Natën e Kadrit, e cila është më e mirë se sa njëmijë muaj, siç e dëshmon edhe Kur’anin Famëlartë.
Myftiu iu drejtua të pranishmëve me një mesazh, në thelbin e të cilit ishte nxitja për të bërë gjithësecili llogarinë e tij me veten e me Zotin për të përmirësuar gabimet dhe për të kërkuar falje për gjynahet, si dhe për të përhapur mirësi dhe solidaritet në njerëzit në nevojë, me skamnorët, me njerëzit e braktisur dhe për të përhapur gjithandej dritën e besimit dhe të udhëzimit islam me plot përkushtim dhe krenari.



