Nisin 10 netët e treta të Ramazanit 1447
Me këndimin e ezanit të akshamit të ditës së martë, më 10 mars 2026, besimtarët muslimanë të qytetit të Shkodrës hynë në atmosferën e begatë të 10 netëve të treta të muajit Ramazan 1447/2026.
Me këtë rast, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari drejtoi faljen e namazit të jacisë dhe të teravisë në xhaminë e Parrucës, me ç’rast mbajti edhe një ligjëratë nëpërmjet të cilës hodhi dritë rreth vlerave dhe madhështisë së Natës së Kadrit.
Myftiu theksoi se, kjo periudhë e begatë e 10 netëve dhe ditëve të fundit të Muajit të Begatë të Ramazanit i përngjan një personi në duart e të cilit janë vendosur 10 çelësa, ku vetëm njëri prej tyre mund të hapë një sunduk të mbushur me xhevahire.
Ndër të tjera, Myftiu theksoi se gjithësecili prej nesh e ka mundësinë që ta shfrytëzojë kohën e kësaj periudhe të begatë maksimalisht për të mbërritur shpirtin e begatë të Natës së Kadrit, që në vetvete nuk është një trup që preket me dorë, porse një shpirt që përvetësohet për të jetuar përgjatë gjithë jetës.
Myftiu Sytari uroi besimtarët për ditët e kaluara dhe përkushtimin e tyre, si dhe kërkoi nga të pranishmit që në këtë periudhë të begatë kohore të zhvishen nga çdo interes dhe çështje, e afër a e largët, e jetës së përditshme dhe të përkushtohen maksimalisht vetëm në fitimin e pëlqimit të Allahut të Madhëruar, nëpërmjet namazeve ditore, leximit të Kur’anit, lutjeve dhe adhurimeve të shumta.
Gjithashtu, Myftiu vuri theksin që besimtarët të përkushtohen në mënyrë të veçantë për të gjurmuar nevojtarët, skamnorët, njerëzit në nevojë, të sëmurët, e të ngjashëm, të cilët kanë nevojë për dorën e ndihmës, pas së cilës është pëlqimi i Allahut dhe shpirti real i madhështisë së Natës së Kadrit.
Myftinia Shkodër kërkon nga të gjithë besimtarët që ta shfrytëzojnë këtë periudhë të begatë kohore me lutje, adhurime, bamirëse të ndryshme dhe të vrapojnë për të përfituar maksimalisht nga bekimet dhe mëshira e Allahut që përhapet gjithandej në univers, sidomos në këtë periudhë të begatë të muajit Ramazan.