Myftiu: “Respektoni më të mëdhenjtë dhe mëshironi më të vegjlit!”

Myftiu: "Respektoni më të mëdhenjtë dhe mëshironi më të vegjlit!"

Myftiu: “Respektoni më të mëdhenjtë dhe mëshironi më të vegjlit!”

Ditën e enjte, më 12 mars 2026, që përkon me natën e 23-të të Ramazanit 1447, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ishte i pranishëm në xhaminë e fshatit Mes-Myselim, ku drejtoi edhe 20 rekatet e namazit të teravisë.

Në mesazhin e tij përpara të pranishmëve, Myftiu iu drejtua të rinjve me një këshillë të posaçme për të dashur dhe për të respektuar më të mëdhenjtë, si dhe për të përfituar përherë nga prania e gjyshërve në mesin tonë, si një pikë referimi për brezin e ri dhe si një mbështetje e fortë në ruajtjen e tabanit shumëshekullor të besimit islam në mesin tonë.

Myftiu dha disa shembuj konkret nga e kaluara e tij, si dhe udhëzoi të pranishmit për të dëshmuar vlerat e thjeshtësisë islame në përditshmërinë e secili dhe në komunikim me njëri-tjetrin.

Ndër të tjera, Myftiu tha: “Jam shumë i gëzuar, që sonte jam në mesin tuaj dhe në mesin e zotërinjve tanë, dhe në krye të tyre, H. Nuhin, Allahu e shpërbleftë dhe e begatoftë shëndetin, mundin dhe sakrificën e tij. Unë ju them, sidomos ju djemve të rinj, që duhet me kenë krenarë që jeni bashkëkohës të zotërinjve me thinja të bardha.

Një brez, i cili rritet në praninë e gjyshërve besimtarë, është brez i bekuar nga Zoti i gjithësisë. E, një brez që lidhet me gjyshin, me besimin e gjyshit dhe me rrugën e gjyshit, do të ketë përherë mbarësinë e Allahut të Madhëruar. Një brez, që e ka privuar Zoti nga prania e më të mëdhenjve në jetë, është gjithmonë i çalët në jetën e tij, sepse kur ke gjyshin, ke një pikë referimi. Edhe 100 vjeç të bëhet gjyshi, dhe kur të largohet nga kjo botë, ti ke përherë kujtimet më të mira. Do të thuash, kam shkuar në xhami me gjyshin, më ka bërë dashnia e gjyshit për Allahun e Madhëruar, me dashtë Allahun më tepër. Dashnia e gjyshit për Pejgamberin (a.s), më ka bërë me e dashtë Pejgamberin (a.s)!”