Myftiu bën thirrje që shpirti i Ramazanit të shërbejë për rritjen e muslimanëve në shoqëri!

Myftiu bën thirrje që shpirti i Ramazanit të shërbejë për rritjen e muslimanëve në shoqëri!

Myftiu bën thirrje që shpirti i Ramazanit të shërbejë për rritjen e muslimanëve në shoqëri!

Ditën e xhuma, më 13 mars 2026, që përkon më 23 Ramazan 1447, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari mbajti dërsin e xhumasë në xhaminë e Parrucës, ku iu drejtua të pranishmëve me disa mesazhe kryesisht për rininë, nëpërmjet të cilave bëri thirrje që shpirti dhe mesazhet e Muajit të Begatë të Ramazanit të ruhen dhe të na shërbejnë për t’u rritur përherë e më shumë në shoqërinë tonë, për t’u ndjerë dhe për t’u dëshmuar madhështia e Islamit në çdo sferë të jetës dhe për t’u prekur gjurma e muslimanëve në çdo sferë të jetës, si një domosdoshmëri për ruajtjen e amanetit të madh të jetës dhe përhapjes së thirrjes islame me çdo frymë.

Ndër të tjera Myftiu theksoi: “Ky është muaji i pendimit, ky është muaji i shpresës, ky është muaji i rimëkëmbjes; ky është një muaj, që sikurse thonë edhe hoxhallarët tanë, ndër ta Dr. Ratib En-Nabulsi, se ai që nuk e ndryshon sjelljen e tij, edhe komunikimin e tij, pas Ramazanit, pra është i njëjti person si ai që hyrë në ditën e parë të Ramazanit, unë them që agjërimi i tij ka qenë krejt formal!”

Myftiu i bëri thirrje rinisë që me shpirtin e agjërimit të Ramazanit që e distancon njeriun nga ndalesat dhe nga veprat e shëmtuara, të ecin përpara duke u ndarë nga fenomenet negative të përhapura në masë në shoqërinë shqiptare sot, si: Korrupsioni, mashtrimi, gënjeshtra, tradhtia kombëtare, grabitja e pronës së tjetrit (ku në mënyrë të veçantë u ndal tek grabitja flagrante dhe masakra barbare ndaj vakëfit të muslimanëve në Fushë Çelë, ku Myftiu tha se përtej përpjekjeve serioze të Kryesisë së Komunitetit Mysliman të Shqipërisë e të Myftinisë Shkodër, por jo vetëm, realitetet janë këto që dëshmohen sot!?), imoraliteti, shkatërrimi i familjes, etj.

Dërsi i xhumasë së sotme shënon edhe të xhumanë e fundit të këtij Muaji të Begatë të Ramazanit 1447.

Me mbarësinë e Allahut të Madhëruar, të xhumanë e ardhshme, muslimanët festojnë ditën e parë të Fitër Bajramit.