Kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër vizitoi Shkodrën

Kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër vizitoi Shkodrën

Kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër vizitoi Shkodrën

Ditën e mërkurë, më 15 prill 2026, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari priti në një takim të përzemërt e vëllazëror, Kryetarin e Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, Hfz. Mehas ef. Alija, që shoqërohej në këtë vizitë nga nënkryetari i parë i KMShZ-së, Mr. Fehim ef. Abazi dhe nënkryetari i dytë i KMShZ-së, Dr. Besim ef. Nuzi.

Gjatë takimit të përzemërt, Myftiu i Shkodrës shprehu kënaqësinë e tij për vizitën e shumëpritur të vëllezërve të tij të dashur, Kryetarit të KMShZ-së dhe dy nënkryetarëve të këtij institucioni, që mbledh nën ombrellën e tij mbi 80 qendra islame shqiptare në Zvicër.

Gjatë bashkëbisedimit vëllazëror u diskutua rreth angazhimeve dhe shërbimeve me dobi që hoxhallarët e nderuar shqiptarë kryejnë sot në shtetin helvet, duke u bërë ambasadorët më të mirë të Islamit dhe të trashëgimisë sonë të pasur kombëtare.

Në një mesazh përpara mediave të pranishme, Myftiu Sytari theksoi se kontributi i hoxhallarëve shqiptarë në Zvicër po rritet dhe konsolidohet ditë pas dite, duke u kthyer në një pikë referimi edhe për autoritetet vendase, që shohin në bashkëpunimin dhe shembullin e drejtuesve të lartë dhe imamëve të KMShZ-së, prijësit e urtë dhe largpamës që kontribuojnë për të mirën e komunitetit dhe ndërtimin e urave të dialogut ndërfetar dhe jo vetëm në mesin e pjestarëve të shoqërisë zvicerane.

Nga ana e tij, Kryetari i KMShZ-së dhe dy nënkryetarët e tij, falënderuan Myftiun e Shkodrës për mikpritjen dhe shprehën kënaqësinë e tyre për këtë vizitë të dashur në qytetin e Shkodrës.

Më pas, bashkëbisedimi vijoi me diskutimin e një sërë tematikash me interes të përbashkët.

Drejtuesit e lartë të KMShZ-së, të shoqëruar nga Myftiu i Shkodrës, zhvilluan një vizitë edhe në Medresenë “Haxhi Sheh Shamia”, ku u pritën nga z. Kujtim Dervishi dhe z. Nexhmi Spahia, drejtori i ri i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, të cilët informuan miqtë e dashur me historikun e Medresesë së Shkodrës dhe gjurmët e shënuara të këtij institucioni arsimor me vlerë dhe peshë kombëtare gjatë 35 viteve të aktivitetit, pas ringritjes në vitin 1991.

Pjesë e kësaj vizite ishte edhe falja e namazit të iqindisë në xhaminë e Plumbit, ku vizitorët e dashur panë nga afër kompleksin e ri të xhamisë shekullore të qytetit të Shkodrës, dhe dëgjuan me kënaqësi informacionet rreth historikut të kësaj xhamie të lashtë, e cila ka hapur dyert prej rreth një viti, pas rikonstruksionit të shumëpritur që i dha këtë pamje të mrekullueshme dhe të shumëpritur për të gjithë besimtarët dhe vizitorët e shumtë të saj.