Mesazhe dhe këshilla me vlerë nga drejtues të lartë të KMShZ-së, për imamët e Shkodrës

Mesazhe dhe këshilla me vlerë nga drejtues të lartë të KMShZ-së, për imamët e Shkodrës

Mesazhe dhe këshilla me vlerë nga drejtues të lartë të KMShZ-së, për imamët e Shkodrës

Pasditen e së mërkurës, më 15 prill 2026, Myftinia Shkodër organizoi një tryezë intelektuale, ku ishin të ftuar, Kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, Hfz. Mehas ef. Alija dhe dy nënkryetarët e këtij institucioni, Mr. Fehim ef. Abazi dhe Dr. Besim ef. Nuzi.

Në krye të herës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari shprehu kënaqësinë e tij për organizimin e kësaj tryeze vëllazërore nëpërmjet të cilës imamët e Shkodrës kanë mundësinë të dëgjojnë nga urtësia dhe eksperiencat e drejtuesve më të lartë të Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, eksperienca që përkthejnë më së miri kontributin e madh dhe shërbimet e vazhdueshme të vëllezërve të shtrenjtë në Zvicër, në aktivitetin e tyre shumëvjeçar, në ruajtje të trashëgimisë islame dhe traditave më të mira shqiptare të trashëguara nga të parët.

Në mesazhin e tij për imamët e pranishëm, Kryetari i KMShZ-së, Hfz. Mehas ef. Alija, pasi shprehu falënderimet e thella për Myftininë Shkodër, për këtë organizim shumë domethënës, shprehu kënaqësinë e tij për këtë takim të përzemërt me imamët e Myftinisë Shkodër, të cilëve iu drejtua me disa këshilla dhe fjalë zemre, që përkthejnë më së miri rolin e rëndësishëm që ka imami në edukimin e brezave dhe ruajtjen e ekuilibrave të harmonisë dhe vëllazërisë islame në mesin e besimtarëve.

Një fjalë me shumë rëndësi ishte edhe ajo e mbajtur nga nënkryetari i parë i KMShZ-së, Mr. Fehim ef. Abazi, i cili iu drejtua të pranishmëve me disa mesazhe plot dobi, duke tërhequr vëmendjen drejt rëndësisë që ka bashkëpunimi dhe ruajtja e frymës së vëllazërisë për përhapjen me urtësi dhe largpamësi të mesazhit islam në mesin e besimtarëve, dhe ndërtimin e urave qytetëruese me çdo pjestar të komunitetit dhe shoqërisë ku jetojmë.

Ndërkohë, nënkryetari i dytë i KMShZ-së, Dr. Besim ef. Nuzi, vuri theksin tek rëndësia që ka ndjenja e përgjegjësisë që imami duhet të ketë në shërbimet e tij për komunitetin, duke e konsideruar veten e tij si të ngarkuar para Zotit dhe para besimtarëve, si një njeri elitar që respekton peshën e misionit dhe amanetin që mban mbi supe, dhe që di të vlerësojë çdo moment të ditës dhe të natës për t’i shërbyer komunitetit pa asnjë rezervë.

Aktiviteti vazhdoi me ndërhyrjet dhe mesazhet plot dobi, nga Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, nga H. Bashkim Bajraktari, nga teologu Artur Tagani dhe z. Kujtim Dervishi, në mesazhet e të cilëve kishte një tërheqje vëmendjeje drejt rëndësisë që kanë këto tubime, si dhe vlerësimit të kohës për të dëshmuar përherë e më shumë vlerat e Thirrjes Islame dhe ruajtjen e trashëgimisë shekullore dhe tabanit të baballarëve, si amanete të shtrenjta që duhen ruajtur me shumë përkushtim.

Gjatë këtij aktiviteti me vlerë u përmend edhe roli i hoxhallarëve të shkuar elitarë të qytetit të Shkodrës, si dhe domosdoshmëria e ruajtjes së asaj fryme qytetëruese, të cilën e mbollën tek nxënësit e tyre dhe tek shoqëria, në mënyrë që stafeta qytetëruese që hoxhallarët i përcjellin njëri-tjetrit të trashëgohet me dinjitet dhe të njohë përherë rritje në kurbën e aktivitetit plot përkushtim të prijësve të urtë fetarë muslimanë në qytetin e Shkodrës, në mbarë trojet shqiptare dhe kudo që ata veprojnë dhe shërbejnë.