Myftiu i Shkodrës ligjëroi në xhaminë Mbret të Beratit
Ditën e diel, më 19 prill 2026, me ftesë zyrtare të Myftiut të Beratit, H. Bilbil Talla, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari zhvilloi një vizitë vëllazërore në qytetin e Beratit.
Fillimisht Myftiu u ndal për një vizitë zyrtare në institucionin e Myftinisë Berat, ku u prit nga Myftiu dhe stafi i tij.
Nëpërmjet një bashkëbisedimi të ngrohtë dhe vëllazëror u diskutua rreth aktualitetit dhe zhvillimit të Thirrjes Islame në vendin tonë, ku dy myftilerët ndanë përvojat e tyre dhe veçoritë e dy qyteteve dhe zhvillimin e jetës fetare në to.
Më pas, Myftiu i Beratit pati mirësinë të shoqërojë Myftiun e Shkodrës në një vizitë shumë të këndshme në disa prej stacioneve më të shënuara të trashëgimisë islame në qytetin e Beratit, si xhamia Mbret, xhamia e Beqarëve, gjurmët e xhamive të vjetra shekullore në kalanë e Beratit, si xhamia e Kuqe, që konsiderohet si xhamia më e vjetër dhe më e lashtë në Shqipëri dhe që i përket një periudhe rreth një shekull para ardhjes së osmanëve në vendin tonë, gjurmët e xhamisë së Bardhë, etj.
Pjesë e kësaj vizite ishte edhe ligjërata e Myftiut të Shkodrës në xhaminë Mbret, ku në prani të besimtarëve të shumtë, kryesisht të moshave të reja, Myftiu i Shkodrës ligjëroi rreth rëndësisë që ka puna dhe angazhimi i muslimanëve për t’u dëshmuar si ndërtues në realitetet ku jetojnë dhe veprojnë, duke u distancuar nga frymërat e izolimit dhe keqleximit të fesë, si dhe duke u bërë promovues të zhvillimit, përparimit dhe ndërtimit të jetës mbi bazat e besimit dhe përkushtimit të madh.
Gjatë ligjëratës së tij Myftiu i Shkodrës solli shembuj të shumtë nga ajetet kur’anore dhe shembujt e pejgamberëve të ndryshëm dhe angazhimit që ata kishin si njerëz ndërtues dhe zhvillues të jetës sipas udhëzimit hyjnor.
Myftiu i Shkodrës uroi besimtarët e pranishëm në xhaminë Mbret për këto ditë të begata të fillimit të dy muajve të Haxhit dhe u lut njëkohësisht për begatinë e tyre, për mbarësi dhe suksese në jetë.













