Paraditën e së shtunës, më 13 maj 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt Raportuesin e Posaçëm për Lirinë e Fesë dhe Besimit pranë Kombeve të të Bashkuara, z. Ahmed Shaheed, që shoqërohej edhe nga ekspertja për të drejtat e njeriut, Maken Tzeggai.
Për rreth dy orë, ata diskutuan rreth çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me lirinë e fesë dhe besimit në Shqipëri, për historikun e fesë islame në vendin tonë, vështirësitë e periudhës së komunizmit, ripërtëritjen e lirisë fetare pas vitit 1990, gjendjen aktuale të bashkësisë së muslimanëve, infrastrukturën e besimit dhe zhvillimin e saj etj.
Myftiu foli edhe për marrëdhëniet ndërfetare, sikurse nuk la pa përmendur shtimin e elementëve të islamofobisë dhe të laicizmit selektiv, që krijojnë precedentë të urrejtjes ndërfetare, falë edhe papërgjegjshmërisë të shumëkujt, që përpiqet në një formë a një tjetër kundër vlerave kombëtare dhe atyre fetare në vendin tonë.
Myftiu e informoi Raportuesin e OKB-së edhe mbi zhvillimin e arsimit fetar në Shkodër, duke nisur nga kurset fetare të xhamive, medresenë dhe aktivitetet e larmishme, që kanë për qëllim rritjen e nivelit të besimit tek masat e gjera, sidomos tek moshat e reja.
Myftiu theksoi se për më shumë se 500 vjet, shqiptarët kanë përqafuar në masë fenë islame, pa dhunë e shpatë, siç theksojnë librat e historisë komuniste, sikurse tha se e sotmja e Shqipërisë përpëlitet mes paradokseve të mëdha, si ai i përqindjes së lartë islame dhe aktualitetit të mbushur me shumë prej veseve dhe fenomeve që Islami i ndalon dhe i lufton.
Raportuesi e pyeti Myftiun edhe mbi predikimet e ditës së xhuma në xhamitë e Shkodrës. Me këtë rast, Myftiu tha se fokusi i hytbeve të xhumasë përqendrohet tek besimi, morali, vetëdijësimi i muslimanëve për madhështinë e fesë, sikurse jepen edhe mesazhe që lidhen drejtpërsëdrejti me ruajtjen dhe forcimin e paqes sociale, harmoninë komunitare, distancimin nga çdo tendencë që shpie drejt ekstremizmit dhe dhunës etj.
Ata diskutuan edhe për shumë çështje të tjera me dobi dhe interes.