Myftinia Shkodër përkujtoi 36-vjetorin e xhumasë historike të 16 nëntorit 1990

Myftinia Shkodër përkujtoi 36-vjetorin e xhumasë historike të 16 nëntorit 1990

Myftinia Shkodër përkujtoi 36-vjetorin e xhumasë historike të 16 nëntorit 1990

Ditën e hënën, më 16 nëntor 2026, pas namazit të iqindisë, në xhaminë e Plumbit, Myftinia Shkodër organizoi një aktivitet përkujtimor kushtuar 36-vjetorit të xhumasë historike të 16 nëntorit 1990, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e ringjalljes së besimit dhe rikthimit të lirisë fetare në Shqipëri, pas dekadash të gjata të persekutimit dhe ndalimit të praktikave fetare nga regjimi komunist.

Aktiviteti u hap nga teologu Ervil Kuçi, i cili prezantoi veprimtarinë përkujtimore dhe ligjëruesit në këtë tubim të veçantë kushtuar kujtesës historike dhe vlerave të besimit.

Në vijim, teologu Lavdrim Hamja, imam i Xhamisë së “Dy Vajzave”, mbajti fjalën e tij me temë “Liria e besimit dhe sfidat e kohës së sotme”, në të cilën trajtoi rëndësinë e 16 nëntorit 1990, pasojat e ndalimit të fesë gjatë diktaturës dhe përgjegjësitë e besimtarëve në realitetin e sotëm.

Duke iu referuar pjesëmarrjes së jashtëzakonshme të dhjetëra-mijëra qytetarëve në faljen historike të xhumasë së 16 nëntorit 1990, në një kohë kur mungonin mjetet e sotme të komunikimit, ai theksoi se kjo ngjarje dëshmoi fuqinë e jashtëzakonshme të besimit në zemrat e njerëzve dhe se instinkti i besimit nuk shuhet kurrë! “Nuk ka fuqi në botë që t’ia shuajë njeriut besimin në Zot!”, u shpreh ndër të tjera teologu Hamja.

Në fjalën e tij, ai u ndal edhe te dëmet e mëdha që sistemi komunist i shkaktoi jetës fetare dhe shoqërisë shqiptare, duke theksuar se pasojat e asaj periudhe vazhdojnë të ndihen edhe sot. Ai nënvizoi nevojën për t’ua përcjellë brezave të rinj të vërtetën e asaj periudhe dhe vlerën e lirisë së besimit.

Një vend të rëndësishëm në kumtesën e tij zuri edhe domosdoshmëria e forcimit të unitetit dhe bashkëpunimit ndërmjet besimtarëve, duke kujtuar atmosferën e ngrohtë dhe vëllazërore që karakterizonte rihapjen e xhamive në fillimet e viteve ’90.

Më pas, të pranishmëve iu drejtua me një mesazh Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili, në fjalën e tij, solli kujtime dhe dëshmi prekëse nga historia e persekutimit fetar në Shqipëri, duke vlerësuar sakrificat e hoxhallarëve dhe besimtarëve që e ruajtën të gjallë besimin edhe në kushtet më të vështira.

Duke iu referuar ngjarjes historike të 16 nëntorit 1990, Myftiu theksoi se ajo ishte fryt i qëndresës dhe përkushtimit të brezave që nuk e humbën asnjëherë lidhjen me Zotin.

Në këtë kontekst, ai solli në vëmendje një kujtim domethënës nga jeta e Hafiz Musa Dërgutit, i cili, përballë shqetësimit për fatin e besimit te brezat e rinj gjatë komunizmit, kishte porositur: “Mjafton që ta dëshmojnë Allahun me zemrat e tyre dhe mos të shkëputen nga ky besim, qoftë edhe me zemër!”

Duke reflektuar mbi këtë dëshmi, Myftiu Sytari theksoi se përpjekjet e regjimit komunist për ta shkëputur popullin nga besimi nuk arritën ta shuanin atë.

“Prej atij brezi u ringjall fara e fshehur e besimit. Allahu na dëshmoi se ato zemra ishin tokë pjellore. Edhe pse fara ishte mbuluar dhe dukej sikur kishte humbur, me dritën dhe bekimet e Allahut doli filizi i ri”, u shpreh ai.

Në vijim, Myftiu kujtoi me respekt figura të shquara të hoxhallarëve të Shkodrës, ndër të cilët: Hafiz Musa Dërguti, Hafiz Sabri Bushati, Hafiz Sabri Koçi, si dhe sakrificat e shumë besimtarëve të tjerë, të cilët, edhe në vitet më të errëta të diktaturës, e ruajtën besimin dhe traditën islame në familjet e tyre.

Një moment i veçantë i fjalës së tij ishte vlerësimi për praninë e fëmijëve dhe të brezit të ri në xhaminë e Plumbit, të cilët i cilësoi si dëshmi të gjallë se sakrificat e brezave të mëparshëm nuk kishin shkuar kot.

Në përfundim, Myftiu i Shkodrës risolli në vëmendje propozimin  e tij të përsëritur ndër vite për vlerësimin kombëtar të kësaj ngjarjeje historike: “Do të doja që kjo datë, 16 nëntor 1990, dhe e diela që i parapriu, të shpallen festa kombëtare të lirisë dhe harmonisë fetare në këtë vend, që brezat që vijnë njëri pas tjetrit ta lartësojnë këtë mesazh dhe këtë simbolikë të shtrenjtë për qytetin dhe vendin tonë.”

Në mbyllje të fjalës së tij, ai shprehu mirënjohje të veçantë për të gjithë pjesëmarrësit e xhumasë historike të 16 nëntorit 1990, të cilët, me guximin dhe përkushtimin e tyre, i dhanë Shkodrës një vend të veçantë në historinë e rikthimit të lirisë fetare në Shqipëri.

36 vjet më vonë, 16 nëntori 1990 vazhdon të mbetet një simbol i pashuar i besimit, i lirisë dhe i dinjitetit njerëzor, që dëshmon se drita e besimit nuk mund të shuhet nga dhuna dhe persekutimi.