Sipas porosive të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ditën e xhuma, më 7 korrik 2017, në të gjitha xhamitë e Shkodrës, u mbajt hytbeja e xhumasë kushtuar Haxhit, vlerave dhe madhështisë së tij.
Mesazhin e tij kushtuar temës së Haxhit, Myftiu i Shkodrës zgjodhi ta bënte nga xhamia e fshatit Oblikë, Ana e Malit, ku tradicionalisht, një numër i madh besimtarësh shkojnë çdo vit për të kryer këtë obligim jete.
Në hytben e tij, Myftiu vlerësoi se shqiptarët e kanë kthyer në traditë shekullore vizitën e vendeve të shenjta; kryerjen e haxhit dhe umres, si një dëshmi e besnikërisë së tyre ndaj vlerave të fesë së të parëve, Islamit, me të cilin edukojnë fëmijët e tyre për të qëndruar në binarët e besimit, dijes, pastërtisë, përparimit dhe dinjitetit kombëtar!
Myftiu theksoi se: Besimi, Xhihadi dhe Haxhi, janë tre prej punëve më të pëlqyera tek All-llahu, siç transmetohet nga i dërguari i All-llahut. Besimi, si pikënisja e krejt të mirave, Xhihadi, si koncept i sakrificës për të mirën dhe angazhimit për të ndërtuar në jetë, si dhe Haxhi, si dëshmi e unitetit dhe shpirtit të bashkimit dhe bashkëpunimit në mesin e muslimanëve të krejt rruzullit tokësor.
Myftinia Shkodër, ju rikujton se afati i fundit i regjistrimit për Haxhin e sivjetshëm është data 10 korrik 2017. Të interesuarit, janë të mirëpritur pranë zyrës së informacionit pranë Myftinisë Shkodër.