Ditën e xhuma, më 20 tetor 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mbajti hytben e tij të parë në xhaminë e re të fshatit Shtuf, Ana e Malit.
Para të pranishëmve, Myftiu bëri thirrje që mësimet dhe udhëzimet e fesë islame të përhapen me shumë dashuri dhe mëshirë për krijesat e Zotit, duke u mbështetur tek shembulli i Hz. Muhammedit (a.s) dhe ai i sahabëve të tij, të cilët sakrifikuan çdo të shtrenjtë për përhapjen e fesë dhe dritës së saj për njerëzimin.
Myftiu tha se përtej përhapjes së propagandave islamofobe, që kanë akses në media dhe politikë, ne si muslimanë e kemi për detyrë të shenjtë të bartim me dinjitet dhe krenari legjitime bardhësinë dhe bukurinë e Islamit, mësimeve të Kur’anit dhe traditat e Hz. Muhammedit (a.s).
“Ne nuk mallkojmë njeri, përkundrazi lutemi siç na ka mësuar i dërguari i All-llahut, që Zoti i gjithësisë të udhëzojë drejt dritës së Tij mbarë njerëzinë! Sepse ne i duam të mirën dhe udhëzimin çdokujt prej racës sonë, njësoj si ia duam vetes sonë! Prandaj, mos u lëkundni në fenë tuaj, mos u mashtroni pas thirrjeve shterpë të armiqve të fesë dhe vetë njerëzimit, që punojnë ditë-natë kundër kësaj feje të pastër islame, e cila ka garancinë e All-llahut, se do të triumfojë mbi krejt thirrjet, kurdo e kudo!”, tha ndër të tjera Myftiu.
Njëkohësisht, ai falënderoi përkushtimin e imamit të xhamisë dhe besimtarëve, që me besnikëri e pastërti zemrash, i japin jetë e gjallëri kësaj xhamie të ngrohtë në këtë zonë muslimane me tradita shekullore.