Zaptimi i tokave vakëf, legalizimi i ndërtimeve pa leje, si dhe tendenca për të grabitur dhe tjetërsuar vakëfet e shenjta në vendin tonë ngelet një shqetësim i patolerueshëm për Myftininë Shkodër.
Janë bërë përpjekje të shumta për kthimin në identitet të këtyre pasurive, por për fat të keq, akoma sot, në fund të vitit 2017, asnjë qeveri e zgjedhur edhe me votat e qytetarëve muslimanë, nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur dhe seriozitetin që i takon kësaj çështjeje me prioritet mbarëkombëtar.
Dosje të shumta presin zgjidhje të menjëhershme, ndërkohë që drejtësia nuk e ka thënë si duhet dhe ndershmërisht fjalën e saj.
Sa e sa herë, institucione si: INUK e INUV, Bashkia Shkodër, Prokuroria e Policia, nuk kanë qenë në nivelin e duhur të bashkëpunimit për të çuar në vend vendime në favor të Myftinisë Shkodër.
Përtej kësaj, përpjekjet dhe beteja e Myftinisë Shkodër vazhdon pa ndërprerje deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje.
Edhe ditën e enjte, më 2 nëntor 2017, Myftiu diskutoi me stafin e tij rreth disa prej vakëfeve që kërkojnë zgjidhje, për të evituar edhe konflikte fizike me individë të papërgjegjshëm, që kanë zaptuar këto toka.
Myftiu përsëriti se çështja e vakëfeve është shqetësim i patolerueshëm, që nuk duhet të ketë asnjë lëshim për këdo që shkel dinjitetin e tij dhe se Myftinia Shkodër nuk do të tërhiqet përballë kujtdo që përpiqet të grabisë e të prekë pronat e saj!