Ditën e xhuma, më 3 nëntor 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari mbajti hytben e xhumasë në xhaminë e Plumbit.
Nga minberi i kësaj xhamie, Myftiu nisi një cikël të ri hytbesh kushtuar përkushtimit dhe dashurisë së sahabëve për të Dërguarin e All-llahut, si pikënisje drejt kuptimit të drejtë të marrëdhënies së muslimanit me fenë e tij, familjen, shoqërinë.
Pas përfundimit të lutjeve të kësaj xhumaje, Myftiu, i shoqëruar edhe nga stafi i tij dhe besimtarët, zhvilloi një vizitë tek vakëfi i Fushës së Tabakut, ku gjenden edhe gjurmët e minares së xhamisë së vjetër të Tabakut.
Myftiu theksoi se vakëfet janë amanet i shenjtë, që trashëgohet brez pas brezi, duke trashëguar dinjitetin, besën, krenarinë, bujarinë dhe cilësitë më të mira të muslimanit!
Ai lajmëroi njëkohësisht edhe caktimin e z. Abdullah Myftija si përgjegjës dhe kujdestar të këtij vakëfi.
Njëkohësisht dha udhëzim që Fusha e Tabakut të pastrohet deri të xhumanë e ardhshme, kur Myftinia Shkodër do të organizojë edhe faljen e xhumasë në sheshin e këtij vakëfi.