Paraditën e së dielës, më 29 tetor 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në takimin e radhës së imamëve të Myftinisë së Malësisë së Madhe.
Në takimin vëllazëror, që u drejtua nga Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, u vu theksi te angazhimet e imamëve, teologëve dhe thirrësve islamë në drejtim të rritjes dhe perfeksionimit të shërbimeve ndaj fesë dhe përhapjes së mesazhit islam tek krejt individët e shoqërisë.
Me këtë rast, Myftiu i Shkodrës iu drejtua imamëve të pranishëm me një këshillë nga këshillat e dijetarit të shquar islam, H. Vehbi Gavoçi, drejtuar thirrësve islamë.
Myftiu theksoi se imamët e kanë për detyrë nderi dhe përzgjedhjeje nga Zoti i gjithësisë, të përhapin mesazhet origjinale të fesë islame, pa pasur ndrojtje e pa e ulur zërin, si dhe duke shfaqur sinqeritet e dashuri për këtë mision të shtrenjtë.
Më pas, Myftiu zhvilloi një bashkëbisedim edhe me nxënësit frekuentues të kurseve fetare që organizon Myftinia e Malësisë së Madhe në xhaminë e Koplikut.
Me rastin e këtij takimi, për imamët pjesëmarrës u shpërndanë disa botime të Myftinisë Shkodër.