Paraditën e së mërkurës, më 20 dhjetor 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim pune veteranin e këndimit të Mevludit Sherifë, H. Sami Muçej.
Qëllimi i këtij takimi ishte angazhimi për të nxjerrë në dritë vlerat e tubimeve ku përkujtohet Lindja e Resulull-llahut (a.s), shoqëruar me këndimin e ilahive të bukura dhe pjesëve të ndryshme të Mevludit.
Gjatë takimit, H. Sami Muçej i dorëzoi Myftiut arkivin e tij të plotë, ku janë shënuar me përpikmëri të gjitha aktivitetet me rastin e Mevludit në të gjitha xhamitë e Shkodrës dhe përtej saj.
Arkivi në fjalë është i pasuruar me foto të këtyre aktiviteteve të dobishme, që dikur mbushnin xhamitë tona me besimtarë të përmalluar për të dëgjuar mbi jetën e të Dërguarit të All-llahut.
Myftiu e falënderoi z. Muçej për angazhimin e tij dhe këtë dhuratë të çmuar, sikurse e garantoi atë se ditëve në vijim, Myftinia Shkodër do ta ekspozojë këtë arkiv në mënyrën më të mirë, në dobi të besimtarëve dhe në shërbim të një aktiviteti që mbetet gjurmë e dritshme në historinë e Thirrjes Islame në trojet tona shqiptare.